Opinion nga Artan Grubi: Miku i popullit

Artan Grubi - Deputet në kuvendin e Maqedonisë i Bashkimit Demokratik për Integrim 

Teoretecienti politik dhe shkencëtari Jean-Paul Marat në karierën e tij njihet më shumë për nga zanati si një gazetar radikal i shëndëruar në politikan gjatë revolucionit francez se sa për nga profesioni. 

Marat kishte fatin të jeton dhe vepron në kohën e revolucionit françez i cili në fakt solli ndryshime fundamentale politiko-shoqërore në kontinentin tonë dhe në botë, por me një kosto shumë të lartë. 

Qëndrimet e tia radikale të shprehura në gazetën që e botonte ai “L’Ami du peuple”, e shqipëruar si “Miku i popullit”, vlerësohen si thirrje për linçim publik të kundërshtarëve politik. 

Në një ndër sulmeve të rregullta ndaj liderëve më konzervativ të revolucionit, Marat shkruan “500 ose 600 kokë të prera do t’ju siguronin qetësinë tuaj, lirinë dhe lumturinë."

Por, një gazetar tjetër françez i cili gjithashtu jetoi në vitet e revolucionit duke e kundërshtuar lëvizjen për ndryshim për arsye të bindjeve të tija rojaliste, Jacques Mallet du Pan, asokohe vuri në përdorim thënien referuese dhe aktuale edhe në ditët e sotme “Revolucioni i gllabëron bijtë e vet.” 

Këto dy shembuj ekstrem pseudogazetaresk, në veçanti faqet dhe përmbajtja skandaloze e “L’Ami du peuple” nga shekulli tetëmbëdhjetë, më ngjajnë me faqet e disa mediave dhe gazetarëve të caktuar të shekullit njëzetenjë në Maqedoni, por jo vetëm. 

Duke iu referuar përcaktimit të qartë politiko-partiak të këtyre mediave, më duhet të them që militantizmi i mediave dhe gazetarëve nuk është i ndaluar, përkundrazi, ekziston edhe në demokracitë më të zhvilluara të globit dhe puna e tyre është subjekt i vlerësimit të publikut. 

Këto rreshta nuk i dedikohen portaleve, gazetave, radiove dhe televizioneve të përcaktuara për të mbështetur një ideologji të caktuar, por për ata që sikur Marat, duke u mshefur mbrapa petkut idealist dhe duke abuzuar me hapësirën mediatike, tejkalojnë çdo kufi të së pranueshmës dhe lënë shije të keqe në profesionin e gazetarisë. 

Përditshmëria jonë përshkrohet me tituj që thrasin për vëllavrasje, shpifje të përditshme, montime monstruoze dhe bizare, koalicionime edhe me djallin për të arritur qëllimin e paracaktuar, referenca inekzistente, sajesa preferuese, pa asnjë përgjegjësi të vetme. 

Si t’ju besosh lajmeve bizare për vrasjen e një tre vjeçareje në Kumanovë bashkë me familjen e saj, për vdekjen e 10 personave si pasojë e vërshimeve në Tetovë, për anketat inekzistuese të IRIt, për spiuna të supozuar të Rusisë dhe për tradhëtar të kombit, për krime dhe korrupcion inekzistent, për “burime” nga partitë ose nga komuniteti ndërkombëta?. 

Të gjitha këto, bashkë me panumër të pavërteta të tjera, hasen çdo ditë në këto media të shpikura nga këta “gazetar” të cilëve iu referohem. Ka vite që bëhen këto përpjekje nga po të njejtit njerëz dhe po të njejtat media. Ka vite që këto përpjekje rezultojnë të dështuara sepse nuk arrijnë dot të përfitojnë besimin e qytetarëve dhe të përmbysin opinionin dominant publik. 

Kjo është kështu sepse e vërteta nuk ka pronësi. Ne jemi një vend i vogël ku të gjithë njohim njëri tjetrin dhe secili di për njëri tjetrin, gjë që na pamundëson t’ia imponojmë të vërtetën tonë tjetrit.

Në këtë përballje, disa janë më shumë, disa janë shumë më pak dhe kjo kështu do të mbetet sepse është shumë e thjeshtë, ata që besojnë në të vërtetën tonë janë shumica absolute, ndërsa ata që besojnë në të vërtetën tuaj Maratiane janë shumë pak, jeni vetëm ju. 

Ndoshta mbështetësit tuaj do të shtohen po të shohin që ju në fakt ofroni alternativë, që ju kritikoni për të bërë më mirë, nuk bëni thirrje për linç dhe shpifni në mënyrë monstruoze, që ju jeni më të mirë për ti prirë këtij populli, që e kaluara juaj është më e ndritur dhe pa asnjë njollë, ndërsa e ardhmja me ju, do të ishte më e mira për të gjithë ne. 

Por në fund, vërtetë , jo vetëm në Francë, Revolucioni i gllabëroi bijtë e vet. 


08.Sep.2015