Në shërbim të djallit - opinion nga Artan Grubi

Arthur Schopenhauer do të thoshte që edhepse qeni është kafsha me një inteligjencë të jashtëzakontë dhe me besnikëri fanatike ndaj njeriut, prap se prap, ky i fundit, e mban atë të lidhur. 

Zanafilla e shtjellimit të rreshtave të sotëm gjendet në karakteristikat e prirjeve euforike të prijësve, por edhe të qytetarëve në drejtim të organizimi politik shqiptar në Maqedoni. 

Në 20 vjetet e fundit, shqiptarët e Maqedonisë provuan që ti realizojnë të drejtat e tyre legjitime në këtë vend duke u organizuar në mënyra të ndryshme. Që nga pjesëmarrja në zgjedhje, përfaqësimi në legjislativ dhe ekzekutiv deri tek lufta e armatosur dhe ndryshimi i Kushtetutës. 

Ky veprim politik i shqiptarëve në Maqedoni karakterizohet me dy periudha të organizimit dhe mobilizimit euforik dhe që të dyja ishin të drejta dhe të vërteta, secila në kohën dhe rrethanat respektive. 

E para, ishte rreshtimi masovik në përkrahje të PPDsë në dhjetëveçarin e parë pas pavarësisë së Maqedonisë, ndërsa e dyta ishte mobilizimi absolut pas UÇKsë dhe rrjedhimisht BDIsë në dhjetëvjeçarin e dytë pas pavarësisë. 

Nga dëshmitë e kohës, përfshirë edhe ato publike të Pavle Trajanovit, por edhe të sekserit të dënuar Slobodan Bogoevski, elementet politike maqedonase u angazhuan në përpilimin e planit për ta rrënuar dhe parcializuar këtë organizim unik shqiptar sepse paraqiste potencë sfiduese për partitë maqedonase. 

Në rastin e parë, fatkeqësisht, ia arritën qëllimit me ndihmën edhe të eksponentëve të pakët shqiptar duke i trajtuar ata me logjikën e filozofit gjerman Schopenhauer dhe instalimit të shqiptarit laboratorik që do të ishte në shërbim të tyre. 

Në rastin e dytë, jemi dëshmitar të një fushate me përmasa apokaliptike dhe një mobilizimi armagedonik tek kampusi politik maqedonas, me gjithë eksponentet e tyre Schopenhauer-ik shqiptar për ta rrënuar vijuesen e suksesshme të organizimit politik shqiptar, UÇKnë dhe rrjedhimisht BDInë. 

Kjo mendësi e errët i detyrohet drojës vijuese nga një organizim i suksesshëm shqiptar dhe bindjes së shtrembëruar që shqiptarët nuk duhet të kanë organizim të fuqishëm, por përkundrazi, ata janë të mirë vetëm kur janë të përçarë, të vegjël dhe në shërbim të partive maqedonase. 

Ky koncept, i cili në mënyrë tinzare po shtjellohet dhe imponohet në vigjilje të zgjedhjeve më të vështira në historinë e këtij vendi, ka për qëllim që ti bind shqiptarët që atyre nuk ju duhet organizim politik sepse nevojat e tyre do të plotësohen nga partitë maqedonase. 

Të dashur miq, në muajt në vijim do të jeni dëshmitar të një fushate të paskrupullt shpifjesh dhe konstrukcionesh që do të bëhen me qëllim afatshkurtër dhe afatgjatë nga qendra që nuk janë kundër BDIsë, por kanë qenë tradicionalisht kundër organizimit të suksesshëm politik shqiptar. 

E para do të jetë në funkcion të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare dhe shfrytëzimit të potencialit elektoral shqiptar për të bërë ndryshimin tek politika maqedonase. 

E dyta do të jetë në funkcion të dobësimit të potencës politike etnike dhe njëkohësisht nxitjes së një organizimi politik shqiptar me adresë burimi, raportimi dhe vartësie tek partitë maqedonase. 

Që të dy strategjitë ka kohë që pregaditen dhe vihen në sprovë herë pas here, por kanë marrë hov të jashtëzakontë nga muaji dhjetor i vitit të kaluar nëpërmjet të fushatave që nga stema dhe ndryshimet kushtetuese, thirrjeve për protesta para selisë së BDIsë, “bombave” me thashetheme dhe terrorizimit masovik të shqiptarëve se ç’na paskan ato materiale për shqiptarët, koncepteve qytetare mashtruese, incidenteve në Kumanovë, bombave në seli dhe qeveri, fushatave shpifëse me qëllim të diskreditimit të figurave udhëheqëse të shqiptarëve, shtrirjes së ndikimit mbi opinionin shqiptar edhepse duke u bazuar mbi qëllimin për mashtrim dhe përfitim. 

Me keqardhje e them që këto strategji, perveç nga partitë maqedonase dhe strukturat e tyre, realizohen edhe nga persona shqiptar të trajnuar në laboratoret e këtyre partive maqedonase që kanë krijuar një rreth vicioz me ca media të caktuara për tu vënë bashkarisht në shërbim të djallit. 

Dhjetëvjeçari i parë dhe shuarja e organizimit politik shqiptar nuk do të përsërit asnjëherë më sepse këtë strategji të përsëritur e kemi demaskuar me kohë dhe shqiptarët nuk do të biejnë pre e agjendave të tyre etnocentrike të mshefura ndër petkun mashtrues qytetar ndërsa eksponentët e zhveshur nga petku i tyre kolaboracionist, do të mbesin si peshku në të thatë. 

Mbamendja kolektive e kombit tonë, përvoja e hidhur dhe kujtesa institucionale, nuk do të lejon përsëritjen e gabimit të njejtë dhe dhëniës së përkrahjes grupeve të interesit të cilat janë në shërbim të djallit të personifikuar në krijuesin e tyre maqedonas dhe jo të shqiptarëve.


08.Sep.2015