Qëndisja e togës - opinion nga Artan Grubi
Demokracia konsensuale në fakt nënkupton zbatimin e marrëveshjeve të arritura nëpërmjet të pajtimit të palëve të përfshira në proces që do të mundësojë formësimin e shoqërisë së harmonizuar

Në frymën e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe të ndërtimit të shtetit mbi shtyllën kryesore, atë të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe maqedonasve, në vigjilje të zgjedhjeve Presidenciale të vitit 2014 të cilat u zhvilluan bashkë me zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, promovuam nismën e ndërtimit konsensual të institucioneve, duke filluar me atë të Presidentit të shtetit. 

Që të dy partitë politike maqedonase refuzuan nismën tonë që të dalim bashkarisht me një kandidat të pranueshëm për maqedonasit po aq sa edhe për shqiptarët. Që të dyja partitë dolën me kandidat të njëanshëm duke demonstruar mosgatishmëri për integrim dhe duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejt në segregimin e shoqërisë dhe margjinalizimin e votës shqiptare. 

Idea për veprim konsensual, pra me pajtim dhe miratim të shqiptarëve dhe maqedonasve, ishte ne frymën e bashkëjetesës, ndërtimit të shoqërisë së shëndosh dhe të marrjes në konsideratë të dallimeve etnike, kulturore, fetare, por edhe ato partiake. 

Edhepse është arritur që parimi i konsensualitetit të respektohet gjatë formimit të koalicionit qeverisës, miratimit të buxhetit dhe të ligjeve me shumicë të dyfishtë, ky vend ka nevojë për konsensualitet të mbrendshëm edhe për çështjen e emrit, për marrëveshjen e fqinjësisë së mirë me Bulgarinë, për heqjen e plotë të kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë, për zbatimin e frymës së Marrëveshjes së Ohrit, gjuhës zyrtare shqipe, etj. 

Mungesa e vizionit dhe guximit politik tek partitë maqedonase për t’i pri këtij procesi, i cili në një të ardhme të afërt do të vijë pashmangshëm dhe do të behët mënyra e vetme e marrjes së vendimeve në Maqedoni, flet zëshëm për atë se si ato i shohin shqiptarët dhe vendimmarrjen në politikë. 

Ajo që nuk u arrit me vullnet të mirë dhe largpamësi politike, u arrit nëpërmjet një megaskandal me përgjime joligjore që përfshiu çdo kontribues aktiv shoqëror. Gjatë qëndisjes disajavore të kostumit për Prokurorin Special, arritëm që të përfshijmë konsensualitet në të gjitha nivelet që përfshijnë përpilimin dhe miratimin e ligjit, zgjedhjen e Prokurorit Special, zgjedhjen e Prokurorëve tjerë si dhe të administratës, përfshi edhe nëpunësit profesional dhe hetuesit. 

Kjo zgjidhje dëshmon që konsensualiteti është mënyra e vetme për të arritur sukses dhe qëndrueshmëri të zgjidhjeve ligjore, politike dhe institucionale në Maqedoni. Njëkohësisht, procesi i pajtueshmërisë politike midis dy komuniteteve shumicë në vend, arrihet vetëm duke e respektuar vullnetin politik të shumicës së shqiptarëve dhe respektivisht, shumicës së maqedonasve. 

E definuar, demokracia konsensuale në fakt nënkupton zbatimin e marrëveshjeve të arritura nëpërmjet të pajtimit të palëve të përfshira në proces që do të mundësojë formësimin e shoqërisë së harmonizuar. 

Shembujt ndërkombëtar, si në Zvicër, Belgjikë, Gjermani, Suedi, dëshmojnë që ky proces përfshin përpilimin e politikave gjithëpërfshirëse në mënyrë që të shmanget mbivotimi i komunitetit më të vogël nga komuniteti më i madh. 

Fati në fatkeqësinë e përgjimeve është se palët, në veçanti partitë maqedonase, me firmën e tyre mbi marrëveshjen, e pranuan konsensualitetin në zgjidhjet ligjore dhe në zgjidhjet kuadrovike bashkë me konsensualitetin në ndërtimin e sundimit të ligjit dhe të institucioneve. 

 Nga ky parim nuk mund të ketë kthim mbrapa.


16.Sep.2015