DIVIDE ET IMPERA - opinion nga Artan Grubi

Shumica e të huajve që veprojnë në Maqedoni, kanë zakon të thonë që në këtë vend asnjëherë nuk mund të ketë një cast të zakontë, të bëzdisshëm. Dhe vërtet. Çdo herë ndodh diçka që më nxit të shkruaj dhe të adresoj ndonjë çështje të caktuar. 

Gjatë javës së kaluar ndëgjova një maksimë që më intrigoi. “Të bashkohemi që të rrënojmë” u tha publikisht dhe u transmetua në të gjitha mediat. Të them të drejtën, thash me vete duhet të jetë lëshim nga mungesa e përvojës dhe njohurisë, por, me ta kontrolluar për së dyti, vura re që maksima rrodhi nga një tekst i shkruar dhe s’ka se si të jetë gabim. Ai dhe ata që qëndronin pranë, e mendokan me një mend procesin e bashkimit për të shkatërruar. 

Lehtë është të rrënosh, e vështirë është të ndërtosh. E lehtë eshtë edhe të përçash, por e vështirë është të bashkosh, në veçanti nëse pikënisje e ke rrënimin, largimin, eliminimin e tjetrit. 

Historianët ia atribuojnë maksimën “Përçaj dhe sundo” Filipit të Dytë të Maqedonisë. Në realitet, janë të panumërta rastet që nga antikiteti gjer në ditët e sotme kur kjo strategji veprimi ka arritur sukses, përfshi dhe rrëmbimet më të njohura të pushtetit. 

Në veprën e tij “La bilancia politica”, Traiano Boccalini e adreson përçarjen dhe sundimin si një parim të zakontë në politikë. Ai elaboron që vënia në përdorim të kësaj taktike nënkupton përforcimin e kontrollit të sovranit ndaj subjekteve të tij të ndërvarur të cilët nëse bashkohen, do të mund ta sfidojnë pushtetin e tij. 

Në fakt, nismën e më sipërme dua ta vlerësoj si mungesë të njohurisë elementare politike dhe jo si qëllimkeqe, sepse në rastin tonë, strategjia “Përça dhe sundo shqiptarët” i atribuohet planeve maqedonase dhe jo atyre shqiptare, por në asnjë mënyrë nuk përjashtoj mundësinë që edhe ato ti shërbejnë kësaj strategjie në mënyrë aksidentale dhe indirekte. 

Sa më pak eksponent shqiptar të ketë kjo strategji, aq më të rëndë do ta kanë subjektet maqedonase që të ndërhyjnë në organizimin politik shqiptar. Por, njëkohësisht, sa më intenzive të bëhen përpjekjet e subjekteve maqedonase për ta realizuar këtë strategji, aq më shumë do të na shërbejnë për mobilizim të mbrendshëm dhe unifikim. 

Fushata e paskrupullt për ta dëmtuar përqëndrimin e votës shqiptare, rrjedhimisht dhe potencialin politik shqiptar në ekzekutiv dhe legjislativ, ka marrë përmasa të papara dhe nuk po zgjedh mjete për ta arritur qëllimin. 

Përveç dobësimit të organizimit politik shqiptar si strategji afatgjate, kjo fushatë vihet në përdorim edhe për manipulim dhe abuzim afatshkurtër të votës shqiptare për hesapet partiake ndërmaqedonase në zgjedhjet e ardhshme. 

Antiteza e kësaj strategjie është që po që se përqëndrohet vota shqiptare kryesisht në një subjekt, atëherë potenca e fuqisë politike shqiptare është e pafund në rrethana kur partitë maqedonase garojnë fyt për fyti për votat e komunitetit të tyre dhe kur asnjëra nuk fiton dot shumicën absolute. 

Prandaj, në përfundim, beteja për ta kundërshtuar këtë plan makevialist dhe shumë të dëmshëm për shqiptarët në përgjithësi, nuk i takon thjeshtë vetëm një përpjekjeje partiake a po vetëm një grupi interesash, por është përgjegjësi historike e qytetarëve shqiptar që ta identifikojnë këtë djallëzi dhe të mos lejojnë që të na përsëritet e kaluara.


27.Sep.2015