Bujar Osmani: Pse duhet t’i besojmë BDI-së?
BDI nuk shqetësohet nga konkurrenca, sidomos kur ajo është e ndershme dhe parimore

Shqiptarët në Maqedoni kujtesën e tyre nuk e kanë tronditur aq shumë sa të mos dallojnë kufijtë deri ku mbaron nëpërkëmbja dhe ku fillon ringritja e tyre kombëtare, morale, kulturore, sociale, ekonomike etj. Historia politike e shqiptarëve të Maqedonisë që do të shkruhet nesër, nuk do të mund të mos përfshijë edhe kapitujt e një diagrami që shënoi ngritje të parametrave në statusin dhe kontekstin pozitiv të të drejtave dhe avantazheve të shumta të shqiptarëve dhe kjo domosdoshmërish është koha e BDI-së

Bujar Osmani

Nëse dëgjoni se po formohen parti politike në prag të ndonjë fushate zgjedhore, mos e merrni shumë seriozisht dhe mos e prishni gjumi. Lehtësia për t’u marrë me zanatin e vështirë të politikës i bën qesharak të gjithë ata të cilët mungesën e ofertave e kompensojnë me denigrime, kurse krizën e vlerave vetanake e mbulojnë me baltosjen e të tjerëve.

BDI, prej formimit e deri sot, ka ruajtur dy shtylla bazë të demokracisë: të mbështesë veprimin e saj mbi parime të dala nga vendimmarrja e brendshme dhe të kultivojë debatin intern pa ia cenuar askujt të drejtën e mendimit ndryshe. Kjo është edhe arsyeja pse BDI nuk shqetësohet nga konkurrenca, sidomos kur ajo është e ndershme dhe parimore. E kundërta e kësaj është lufta e pakuptimtë për pushtet që i zhvesh subjektet nga etika dhe njerëzorja.

Projektimi i fitoreve politike asnjëherë nuk është bërë mbi ndonjë parametër fiktiv. Të gjithë ata që dyshojnë në finesat e demokracisë, kanë të drejtë të ritestojnë vendimet politike, por në asnjë mënyrë nuk kanë të drejtë të rrënojnë atë që është arritur. Kritikuesit e tanishëm, bëjnë mirë që marrëdhëniet me publikun i kultivojnë duke e përdorur BDI-në si model të (ri)testimit të vlerave shoqërore, por gabojnë në momentin kur BDI-së ia ngushtojnë rrugët, e bëjnë atë joefikase në betejat konkurruese.

As BDI nuk është imune kundrejt anomalive që sjell akomodimi i pushtetit dhe mosqarkullimi i përhershëm i prurjeve të reja. Por, në anën tjetër asnjë forcë tjetër politike nuk i është ekspozuar oponencës së publikut dhe me të drejtë nga BDI kërkohet përgjegjësi më e madhe. Se pse deri më tani kjo oponencë nuk ka rezultuar me ndonjë efekt spektakolar që do ta përmbyste triumfin e BDI-së, këtë duhet ta analizojnë ata që kanë zgjedhur këtë mënyrë të atakimit të BDI-së. Ata duhet të tregojnë se ku e kanë burimin diskurset e tyre dhe ku mbështeten strategjitë e tyre mediatike për ta relativizuar rëndësinë e BDI-së. Ata duhet të tregojnë se pse lajmin e fillojnë me koment dhe e përfundojnë me barcaleta. Viktimë e kësaj hallakame mediatike është audienca publike, mbi të cilën po ushtrohet një arrogancë që më shumë imponon qëndrime e fare pak ofron zgjidhje.

Pse duhet t’i besojmë BDI? Ata që nuk e kanë të qartë mesazhin e kësaj pyetjeje, duhet ta lexojnë më me kujdes disponimin e njerëzve në plan më të përgjithshëm dhe jo të merren me segmente të caktuara të jetës shoqërore e publike. Ka shumëçka që nuk shkon, por shqiptarët në Maqedoni kujtesën e tyre nuk e kanë tronditur aq shumë sa të mos dallojnë kufijtë deri ku mbaron nëpërkëmbja dhe ku fillon ringritja e tyre kombëtare, morale, kulturore, sociale, ekonomike etj. Historia politike e shqiptarëve të Maqedonisë që do të shkruhet nesër, nuk do të mund të mos përfshijë edhe kapitujt e një diagrami që shënoi ngritje të parametrave në statusin dhe kontekstin pozitiv të të drejtave dhe avantazheve të shumta të shqiptarëve dhe kjo domosdoshmërish është koha e BDI-së. Gjithçka tjetër jashtë kësaj kohe ishte vetëm përpjekje dhe tentim për të avancuar pozitën e shqiptarëve.

Në raport me historinë kronistët e mëvonshëm do të dinë të diferencojnë kohët që sollën ndryshime dhe ato që shkuan kot në muzeun e kotësirave. Protagonizmi i BDI-së në këtë periudhë është i pakontestuar, kurse roli i Ali Ahmetit mbetet pika më e ndritshme e motivimit dhe angazhimit politik të shqiptarëve. Historia dhe profili i kësaj figure emblematike do ta lërë pa gjumë shumëkënd që nuk pajtohet me të, por në anën tjetër do të mobilizojë ato shtresa të padukshme të vetëdijes kombëtare, të cilat dinë të dallojnë pastërtinë morale të një figure politike nga kamufluesit e interesave personale brenda fytyrave gjoja engjëllore.

BDI është një projekt në përsosje e sipër dhe në këtë proces ka vend për të gjithë. Duke mos qenë përjashtuese, por kooperuese, BDI edhe në të ardhmen do të vazhdojë të ruajë koherencën e ideve dhe veprimeve. Një fuqi që burimin e ka në sakrificë, BDI do të ketë shumë arsye të besoj në ndershmërinë e mbështetësve të saj, por të ketë edhe mirëkuptim ndaj kritikuesve të saj. Serioziteti për t’u marrë me të ardhmen, nuk i lejon komoditetin BDI-së të merret me sukseset e së kaluarës, kurse harku që lidh të kaluarën me të ardhmen patjetër duhet të përshkohet nga fryma e vetëkritikës dhe ritestimit sprovues. BDI ka ardhmëri. Me Bindje, Demokraci dhe Ide. 

(Autori është zëdhënës i Bashkimit Demokratik për Integrim)


23.Oct.2015