Bujar Osmani: BDI, energji e pashtershme e një misioni
BDI dhe gjithë ata që e mbështesin atë, janë sasia e pandalshme e një rrjedhe që do të fuqizojë edhe më tepër turbinat e energjive të pashtershme

BDI po tregohet si forcë politike joinerte, sepse lëvizshmëria e saj në kohë e hapësirë po u jep të drejtë atyre vrojtuesve që thonë se cili do të ishte fati i këtij vendi sikur të mungonte fryma e BDI-së në amortizimin e goditjeve që sjell koha. Nuk duam të identifikojmë asnjë sukses tonin me luftën e zbrazët për pushtet. Përkundrazi pushteti për ne do të vazhdojë të konsiderohet si mision, sepse një mision për të qenë i plotë ai duhet të përfundoj, kurse lufta jonë për të futur Maqedoninë në BE dhe NATO, për të avancuar në nivele edhe më të kënaqshme barazinë e shqiptarëve dhe për të fuqizuar mirëqenien e tyre ekonomike e sociale, ende nuk ka përfunduar

Bujar Osmani

Historia politike njeh shumë modalitete të inkorporimit të interesave parciale dhe të përgjithshme brenda koalicioneve bashkëqeverisëse. Është e natyrshme të ketë edhe divergjenca, sidomos për disa linja strategjike të cilat shprehin edhe filozofinë politike të secilit subjekt veç e veç. Ajo që e bën autentik një diskurs politik, nuk është shkalla e ndikimit dhe reflektimit të politikave të caktuara qeveritare kundrejt objektivave të jashtme ose të brendshme diplomatike e politike, por pikërisht projektimi i afiniteteve autentike në një pejsazh më të gjerë kërkesash që ndërlidhen më shumë me të ardhmen, e fare pak me të kaluarën.

Për ta artikuluar drejt këtë diskurs politik, BDI-së i është dashur të zhvillojë betejën e vet në dy fronte: në njërën anë me partnerin e koalicionit, në neutralizimin e devijimeve që munden t’i sjellin vendit ndonjë kurs të paparashikuar zhvillimi, dhe në anën tjetër, me një pjesë të opinionit publik, i cili, dorën në zemër, nuk ka qenë gjithmonë i gatshëm ta pranojë mirëfilli këtë diskurs. 

Derisa frontin e parë e kemi zhvilluar në heshtje dhe pa zhurmën e fanfarëve lavdëruese, të dytin, jemi munduar ta përfshijmë në një debat të qytetëruar me të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ne. Mungesa e fryteve publike nga fronti i parë, nuk do të duhej të kuptohet si disavantazhë e BDI-së. Përkundrazi, ky është edhe një argument që shkon në favor të idesë se punët tona që bëhen pa zhurmë nuk e kanë patjetër të kenë impakt publik, sepse një forcë serioze politike asnjëherë nuk do të lëshohej në populizëm për të arsyetuar dhe testuar qëndrueshmërinë e potezave që ndërmerr brenda institucioneve të sistemit.

BDI, testueshmërinë e politikës së saj e mat me parametra afatgjatë dhe kjo mund të formulohet si mision, kurse përvoja historike na mëson se asnjëherë misionet dhe misionarët nuk janë kuptuar fillimisht nga rrethi, prandaj është dashur të kalojë një kohë që frytet të vinë atëherë kur kanë nevojë më së tepërmi njerëzit.

Të marrim vetëm shembullin e Kërçovës. Fillimisht të gjithë e akuzuan Ali Ahmetin për tradhti kombëtare, por pastaj çka ndodhi. Një Kërçovë e bashkuar që erdhi pas disa viteve, jo vetëm që arsyetoi atë që z.Ahmeti e kishte konsideruar si pragamtizëm dhe si largpamësi, por ndikoi që politika që udhëheq BDI të kuptohet si një lum i cili mund të pakësojë dikund-dikund sasinë e ujit, por asnjëherë të mos shterrojë për të arritur  në cakun përfundimtar.   

BDI mandatet politike i sheh si beteja të një lufte dhe si njësi të një procesi, kurse ai proces ka disa përfundime strategjike: integrimin, barazinë e plotë dhe mirëqenien ekonomike. 

Ne asnjëherë në kuadër të mandateve, qofshin ato të vështira apo të lehta, nuk e kemi humbur fokusin në fotografinë e madhe në qëllimet e luftës. Ne mund të kemi humbur ndonjë betejë, por synim kryesor yni ishte dhe do të jetë të fitojmë luftën. Për ne, integrimi në BE dhe NATO është fitim i luftës. Ky, fundja është mision i BDI-së që ka filluar në vitin 2001 dhe duhet të përfundoj me këto pika strategjike, kurse kryebetaja kryesore e jona ka qenë ta pengojmë devijimin e kursit të shtetit dhe kthimin prapa, madje edhe duke e sakrifikuar imazhin tonë.

Ne mund edhe të kritikohemi dhe të keqkuptohemi nga përfaqësues të ndryshëm të opinionit publik dhe kjo është e drejtë legjitime e tyre, sepse vetëm kështu ka kuptim debati i shëndoshë publik, por ne asnjëherë nuk i kemi fshehur objektivat tona se kah duhet të lëvizim. Ne nuk po fshihemi si disa përfaqësues të opinionit publik, të cilët në njërën anë artikulojnë disponime dhe mendime të caktuara të shoqërisë civile, kurse në anën tjetër janë zgjatime të fshehura të opcioneve të caktuara politike. Këtu qëndron edhe defekti më i madh i cilësisë së debatit publik aktualisht, sepse ata që duhet të jenë plotësisht të pavarur herë-herë shpërfaqin njëanshmëri dhe subjektivizëm të theksuar, kurse ne si subjekt politik padrejtësisht atakohemi nga kjo kategori e opinionbërësve. Për të qenë absurdi më i madh, kjo kulturë denigrimi sikur po ngritet në metodë pune edhe të shumë mediave, misioni fillestar i të cilave tani më nuk është informimi, por propaganda dhe linçimi publik i figurave të caktuara politike, pa më të voglën mundësi që këta të fundit ta shprehin mospajtimin e tyre për çështje të caktuara që lidhen drejpëdrejt me ta.

BDI po tregohet si forcë politike joinerte, sepse lëvizshmëria e saj në kohë e hapësirë po u jep të drejtë atyre vrojtuesve që thonë se cili do të ishte fati i këtij vendi sikur të mungonte fryma e BDI-së në amortizimin e goditjeve që sjell koha. Nuk duam të identifikojmë asnjë sukses tonin me luftën e zbrazët për pushtet. Përkundrazi pushteti për ne do të vazhdojë të konsiderohet si mision, sepse një mision për të qenë i plotë ai duhet të përfundojë, kurse lufta jonë për të futur Maqedoninë në BE dhe NATO, për të avancuar në nivele edhe më të kënaqshme barazinë e shqiptarëve, dhe për të fuqizuar mirëqenien e tyre ekonomike e sociale, ende nuk ka përfunduar.

Nëse dikush pret nga lumi ta ndal rrjedhën në gjysmë të rrugës, është kundër ligjeve të natyrës. BDI dhe gjithë ata që e mbështesin atë, janë sasia e pandalshme e një rrjedhe që do të fuqizojë edhe më tepër turbinat e energjive të pashtershme. 

*Autori është zëdhënës i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI)


14.Nov.2015