ALI AHMETI: Zgjedhja e Xhaferit, përkrahje dhe mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar
Sa më stabile është Maqedonia do të jetë në të mirë edhe të Shqipërisë, edhe të Kosovës

Kreu i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmeti, thotë se askush nuk duhet të ketë frikë nga fuqizimi i shqiptarëve dhe se përkundrazi stabiliteti në këtë shtet reflektohet edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri

Faktorizimi i shqiptarëve si komb shtetformues dhe krijimi i këtij realiteti të ri në Maqedoni nuk duhet ta frikësojë askënd. Propagandat ruso-serbe se shqiptarët po planifikojnë destabilizimin e Ballkanit duke planifikuar “Shqipërinë e Madhe” janë parulla 35-vjeçare për ta penguar fuqizimin e këtij populli. Kjo propagandë bëhet për t’i trembur joshqiptarët e që për qëllim ka ngecjen e shqiptarëve në Maqedoni. Kështu ka thënë një ditë pas incidentit në Parlamentin e Maqedonisë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, për gazetën “Zëri”.

Ai u ka bërë thirrje liderëve shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë që të kontaktojnë me të gjitha forcat politike në Maqedoni, jo vetëm ato shqiptare, në mënyrë që të gjitha kontradiktat që ekzistojnë nga hakmarrja të tejkalohen dhe të gjendet gjuhë e përbashkët në dobi të futjes së gjërave në binar dhe zgjidhjes përfundimtare të krizës. Më tutje Ahmeti ka bërë të ditur se hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren do t’i analizojnë së bashku me partnerët e tjerë, por një gjë është e sigurt - Talat Xhaferi duhet ta ushtrojë funksionin e tij si i kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë duke thirrur edhe seancën e radhës e më pas të vazhdohet edhe me krijimin e qeverisë së re.

Zëri: Z. Ahmeti, pas zgjedhjes së zotëri Talat Xhaferit si kryetar të Kuvendit situata u përshkallëzua skajshmërish. Shumë deputetë pësuan, disa madje seriozisht. Si i komentoni ju zhvillimet e fundit në Kuvendin e Maqedonisë?

Ahmeti: Çdo dhunë që ka ndodhur është një akt i shëmtuar, akt i cili duhet dënuar nga i gjithë opinioni dhe në veçanti duhet të dënohet nga të gjithë përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike në Republikën e Maqedonisë, sepse kjo është në dëm të Maqedonisë, është në dëm të qytetarëve. Kjo situatë dëmton imazhin e shtetit dhe dëmton imazhin kombëtar të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Ky ishte një akt i dhunshëm brenda institucioneve ku qytetarët presin të prodhohet paqe, stabilitet, demokraci e mirëfilli edhe të hyhet me njerëz të papërgjegjshëm dhe të dënohen, të rrihen përfaqësuesit ky është vërtet një akt që duhet të dënohet dhe të distancohet nga të gjitha forcat politike në vend. Problemet dihet sesi kanë filluar, problemi është politik dhe me mjete politike. Unë disa herë e kam theksuar duke njohur palët në konfrontim dhe në përplasje të vazhdueshme kam detektuar që palët këtu frikohen nga hakmarrësit. Çka do të ndodhë nesër me forcën e cila do ta drejtojë shtetin këtu, do t’i drejtojë institucionet, cila do të jetë strategjia e asaj force që do t’i drejtojë institucionet a do të hakmerret apo nuk do të hakmerret? Dhe këtë ndjenjë të hakmarrjes e kam parë me frikë, domethënë, nga hakmarrja e kam parë që e kanë të dyja forcat politike. Për këtë arsye kam apeluar që duhet të dialogohet, duhet të dyja forcat politike maqedonase t’i paraqesin pozicionet e tyre, të flasin hapur për pozitat e tyre sepse unë kam kërkuar që ky problem të mos shndërrohet nga problemi intraetnik në ndëretnik dhe ky moment ka qenë që në ditën e djeshme i cili ka mundur të ndodhë duke qenë deputetët shqiptarë brenda Parlamentit, brenda atij rrethimi aq të egër. Ka pasur jashtëzakonisht reagime të mëdha nga të gjitha rrethet shqiptare.

Zëri: Megjithëse rreziku ishte i madh shqiptarët nuk u përfshinë në këtë përshkallëzim të situatës, kush i ndali?

Ahmeti: Unë kam menaxhuar të gjitha rrethet që të mos të përshkallëzohet dhe të mos nisen njerëzit në një drejtim tjetër.

Zëri: A ishte gjithçka e orkestruar, a ka pasur dikush tendenca që qëllimisht ta përshkallëzojë situatën?

Ahmeti: Sigurisht që ka pasur iniciativa të tilla. Megjithatë, mendoj se situata është menaxhuar dhe njerëzit na kanë respektuar. Ajo që ka mundur të ndodhte duke u dalë në ndihmë shpëtimit dhe daljes zot të deputetëve ka mundur të shkaktonte pasoja më të mëdha dhe në dëm të deputetëve, të cilët ishin në Parlament.

Zëri: Nga pamjet që kemi parë u fitua përshtypja sikur huliganët u lejuan të hyjnë në Kuvend. Pasi ata hynë, dyert u mbyllën, a pati një skenar të kontrolluar?

Ahmeti: Këtu ka protesta gati qe një muaj e gjysmë dhe ne e patëm një parandjenjë që nuk kalohet kjo situatë. Gjithmonë e kemi analizuar dhe i kemi pasur parasysh rreziqet, por një hap i tillë duhet të bëhet ballë për ta zhbllokuar situatën dhe tash duhet të shihet se cilët do të jenë hapat e ardhshëm që duhet t’i ndërmarrim.

Zëri: Zotëri Xhaferi u zgjodh kryetar në një seancë të jashtëzakonshme dhe pa dhënien e mandatit nga presidenti Ivanov, a mund të kontestohet zgjedhja e tij?

Ahmeti: Zgjedhja e Xhaferit ka ardhur pas mbështetjes së shumicës parlamentare. Zotëri Xhaferi do ta ushtrojë funksionin e tij si kryetar i Parlamentit të Maqedonisë me të gjitha të drejtat e përgjegjësitë që i takojnë dhe zgjedhja e tij është legjitime.

Zëri: Nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe mbështetja e Ambasadës Amerikane për kryetarin e ri të Kuvendit, zotëri Xhaferin. Sa është e rëndësishme kjo?

Ahmeti: Sigurisht që ka pasur përkrahje dhe mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar edhe për zgjedhjen e z. Xhaferit si kryetar të Parlamentit dhe ai është në rrugë legjitime, në rrugë legale, i zgjedhur nga shumica e të zgjedhurve të popullit. Mbështetja ndërkombëtare është shumë e rëndësishme, në veçanti në këto momente.

Zëri: Cilët do të jenë hapat e radhës së kryetarit të ri të Kuvendit, kur pritet të thirret seanca e radhës?

Ahmeti: Hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren do t’i analizojmë, por sigurisht hapi i ardhshëm është që z. Xhaferi duhet ta ushtrojë funksionin e tij si i kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë duke e thirrur seancën e radhës, por për këtë duhet të shihet momenti i përshtatshëm. Ndërkohë, hapi i radhës tani është krijimi i qeverisë së ardhshme. Edhe për këta hapa duhet të diskutohet dhe të shihet sesi do të bëhen.

Zëri: Cila është rëndësia kur për herë të parë në Maqedoni bëhet një kryetar shqiptar i Kuvendit?

Ahmeti: Kryetari i Kuvendit është figurë qendrore në shtet, ka shumë kompetenca të drejtimit të Kuvendit, por edhe në drejtimin e situatave të jashtëzakonshme. Është personi i dytë sipas rëndësisë shtetërore në Maqedoni.

Zëri: Është e dukshme që problemi i VMRO-DPMNE-së dhe i protestuesve është tek uniteti i shqiptarëve dhe i “Deklaratës së Përbashkët”. Pas zgjedhjes së kryetarit, cili do të jetë hapi i radhës tani?

Ahmeti: Këtu ka një keqkuptim sepse ajo nuk është “Platformë Shqiptare”, por është një “Deklaratë e Partive Politike Shqiptare”, e hartuar, e përpunuar në Shkup, por për shkak të reagimit të mospjesëmarrjes së njërës parti shqiptare me insistimin e tyre akti i nënshkrimit ndodhi në Tiranë me lehtësim të z. Ramës. Deklarata politike që është bërë nga partitë politike shqiptare do t’i dalë zot vetes si nënshkruese të asaj “Deklarate”. Asgjë të keqe nuk ka. Deklarata buron nga programet e partive politike, nga Marrëveshja e Ohrit, buron nga vetë analiza që ka bërë një institut i angazhuar nga vetë Bashkimi Evropian.

Zëri: Përmendet një parti politike shqiptare “Besa”, ajo e cila nuk pranoi të ulet me ju mirëpo kërkoi të shkojë në Tiranë. Duket se “Besa” shfrytëzoi këtë kartë të cilën më pas e përdori Ivanovi që të nisë i gjithë ky problem. Si e vlerësoni qëndrimin e “Besës”. U tha se edhe provokoi në Kuvend kur u këndua himni shqiptar?

Ahmet: Janë për t’u ardhur keq këto veprime, tash të sofistikuara, që bëhen nga lëvizja “Besa”. Përveçse nuk erdhi në aktin e nënshkrimit, në aktin e hartimit të “Deklaratës së Përbashkët Politike” nga pesë partitë politike shqiptare në Maqedoni dhe e ekzagjeroi aq shumë, saqë u dha materiale të gjitha palëve se gjoja ajo deklaratë është nënshkruar dhe është hartuar në Tiranë. Dhe sigurisht që këtu palët mezi presin një argument, sado i vogël që të jetë, për ta shfrytëzuar dhe për ta vënë në shërbim të interesave të veta për t’i mbajtur qytetarët gjithmonë në lëvizje kinse në Maqedoni po ndërtohet “Shqipëria e Madhe”, po ndërtohet një platformë nga një shtet i huaj me plane ndarjeje dhe e cila po shfrytëzohet nga shumë faktorë politikë. Në Maqedoni është një hapësirë me shumë interesa qoftë politike, qoftë strategjike, aq më keq edhe mbrëmë më vjen keq të shprehem në mënyrën më të vrazhdë, por janë treguar burracakë, këndojnë himnin shqiptar kush ikën nga lufta është tradhtar dhe të parët ishin që braktisën Parlamentin shqiptar dhe i lanë kolegët e vet, bashkëkombësit e vet që të rrihen nga rrugaçët. Kjo na ka indinjuar pa masë.

Zëri: A ka pasur figura politike të etiketuara mbrëmë nga huliganët, të cilët hynë në Kuvend. Lideri i “Aleancës për Shqiptarët”, Ziadin Sela, pësoi lëndime të rënda. U tha se edhe ka qenë cak për eliminim për shkak të deklaratave të vazhdueshme të tij?

Ahmeti: Tash nuk mund të flitet sepse nuk e dimë sesi është hartuar dhe si është ndërtuar ajo strategji. Sela ka pasur diskutime, ka pasur prononcime prej më të ndryshimeve dhe ndoshta dikush mund ta ketë sulmuar për t’iu hakmarrë. Çka do që do të ndodhte mbrëmë ajo është përgjegjësi individuale dhe jo kolektive, sepse situata ka qenë një kaos total.

Zëri: Cilat mund të jenë pasojat e veprimeve të fundit në Kuvend?

Ahmeti: Situata që ka ndodhur duhet të trokasë në derë të të gjitha partive politike në Maqedoni dhe aq më shumë duhet të trokasë në ndërgjegjen e VRMOS-së dhe të DPMNE-së që ato të reflektojnë dhe gjërat t’i fusin në binar për zgjidhje të dobishme.

Zëri: A i konvenon kjo situatë edhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaevit?

Ahmeti: Sigurisht kjo situatë nuk është edhe aq e thjeshtë sepse tanimë një përgjegjësi e madhe kalon mbi Bashkimin Demokratik për Integrim. Deri në ditën e djeshme i tërë presioni ka qenë në Bashkimin Demokratik, duke menduar që ne luajmë me dy standarde të dyfishta dhe më vjen keq që ka pasur fytyra politike, të cilët kanë menduar se Bashkimi Demokratik për Integrim mund të luajë lojëra të dyfishta. As në praktikë për Bashkimin Demokratik, por as për jetën time gati 30-vjeçare në veprimtarinë politike, asnjëherë nuk kam luajtur me standarde të dyfishta. Bashkimi Demokratik për Integrim ka qenë mjaft i vendosur sidomos kur është përcaktuar për ta ndërtuar shumicën parlamentare sepse nga Bashkimi Demokratik është vendosur a do të bëhet kjo shumicë parlamentare apo nuk do të bëhet? Dhe ne ua kemi bërë me dije të gjithëve, edhe komitetit ndërkombëtar, edhe partive politike në vend se qasjen e kemi shumë serioze dhe seriozisht duhet trajtuar zhvillimi dhe të mos nënçmohet në asnjë moment sepse situata është mjaft serioze dhe seriozisht duhet të angazhohemi dhe të organizohemi.

Zëri: A do të merrni pjesë në takimin e liderëve politikë, i thirrur nga presidenti Ivanov?

Ahmeti: Nuk besoj që do të marrim pjesë në këtë takim, i cili thirret nga Ivanovi sepse Ivanovin e konsiderojmë pjesë të problemit dhe jo pjesë të zgjidhjes së problemit.

Zëri: Me kë do të diskutoni tani?

Ahmeti: Tash për tash jemi duke komunikuar me partitë politike të shumicës parlamentare. Jemi në komunikim me miqtë tanë, të cilët seriozisht janë të angazhuar për të na ndihmuar dhe për ta ndalur këtë krizë të krijuar?

Zëri: Të hënën është thënë se do të vijë në Maqedoni zëvendësndihmëssekretari i Shtetit amerikan, Hoyt Yee. Çfarë do të kërkonit prej tij dhe a ka ardhur momenti që bashkësia ndërkombëtare të jetë më e vendosur për zgjidhjen e krizës në Maqedoni?

Ahmeti: Mendoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë më shumë i angazhuar sepse Maqedonia nuk është problem i izoluar. Ky problem në vetvete është shumë më i sofistikuar. Në Maqedoni, si vendi i cili ndodhet në udhëkryq të Ballkanit, ka shumë interesa nga qarqe të ndryshme, të cilat nuk duan progres në këtë Republikë, nuk duan ta shohin Maqedoninë të anëtarësuar në NATO. Duke mos pasur një Maqedoni stabile dhe funksionale sigurisht që ky qëllim edhe vetëlargohet sepse as vendet e NATO-s nuk duan në gjirin e vet vende problematike, ku nuk ka stabilitet të qëndrueshëm politik. Aq më tepër kur në një vend nuk ka raporte të mira mes të dy etnive më të mëdha. Kështu që dashakeqët i kanë detektuar këto dobësi të Maqedonisë dhe për ta larguar anëtarësimin në NATO u konvenojnë të gjitha këto përplasje që ndodhin këtu.

Zëri: Liderët shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë nuk reaguan apo reaguan me vonesë, pse ky inferioritet i tyre?

Ahmeti: Sa më stabile është Maqedonia do të jetë në të mirë edhe të Shqipërisë, edhe të Kosovës. Pra, një Maqedoni stabile është në dobi të rajonit dhe duhet që liderët shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë t’i thërrasin të gjitha forcat politike në Maqedoni jo vetëm shqiptare, të jenë në komunikim të përhershëm, të gjitha gjërat dhe kontradiktat apo të themi frikën, e cila ekziston nga hakmarrja, të tejkalohet dhe të gjendet gjuhë e përbashkët në dobi të futjes së gjërave në binar dhe zgjidhjes përfundimtare të krizës këtu.

Zëri: Sa do të na dëmtojnë fushatat serbo-ruse të ditëve të fundit kur thonë se po planifikohet një “Shqipëri e Madhe”?

Ahmeti: Unë besoj që të gjithë e dinë, edhe Rusia, edhe Serbia se shqiptarët nuk janë të angazhuar për një “Shqipëri të Madhe”. Megjithatë, ata këtë po e shfrytëzojnë si një pretekst. Konstrukti i kësaj parulle është në Beograd që nga viti 1981, kur atëherë lëvizjen studentore e quanin lëvizje iridentiste, separatiste sepse ajo po angazhohet për “Shqipëri të Madhe”. Pra, kjo parullë po vazhdon edhe sot për t’i kërcënuar dhe për t’i trembur joshqiptarët dhe për ta penguar integrimin e Maqedonisë, por edhe të Kosovës në NATO dhe në strukturat tjera ndërkombëtare.

Zëri: A ka rrezik që shqiptarët të bien pre e provokimeve për një konflikt ndëretnik?

Ahmeti: Unë gjithmonë kam apeluar që nuk do të na ndihmonin veprimet revanshiste, që shqiptarët në të njëjtën mënyrë t’i përgjigjeshin rrethimit kundër rrethimit. Kjo do të na çonte në një përplasje dhe në një moment të pakontrollueshëm. I thërras shqiptarët që ta ruajnë gjakftohtësinë. Ky problem ka filluar politikisht dhe duhet të zgjidhet me mjete politike.


29.Apr.2017