Kryetari Ahmeti – Hojt Ji: Kthim pas nuk ka, proceset të ecin përpara
RM-së në këtë situatë më së shumti i duhet stabiliteti, i duhet që proceset të zhvillohen në rrugë të mbarë, dhe duhet që institucionet të funksionojnë

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit me Hojt Brajan Ji, Zëvendës Ndihmës Sekretari i shtetit të SHBA-ve pёr Evropё dhe Euro-Azi, ka thënë se vizita e tij është një përkrahje morale që i bëhet vendit.

Kryetari Ahmeti tha se Lee ka qenë shumë i qartë duke thënë se vendit i duhet stabilitet dhe zhvillim të proceseve në rrugë të mbarë deri në funksionimin e institucioneve.

“Republikës së Maqedonisë në këtë situatë më së shumti i duhet stabiliteti, i duhet që proceset të zhvillohen në rrugë të mbarë, dhe duhet që institucionet të funksionojnë”.

“Sigurisht që kthim pas nuk ka të gjitha këto zhvillime, nëse ne nuk vetëdijesohemi sigurisht që i dobësojmë të gjithë qytetarët e RM-së. Të pranohet ky realitet i ri, zgjedhja e kryetarit të parlamentit të mbështetet edhe nga to forca që kontestojnë zgjedhjen e zotit Xhaferi si kryetar të Parlamentit, sepse zgjedhja është bë në rrugë ligjore dhe legjitime”, deklaroi kreu i BDI-së Ali Ahmeti, pas takimit Zёvendёs/ndihmës sekretarin e shtetit pёr Evropё dhe Euro-Azi Hojt Brajan Ji.

Kryetari Ahmeti gjithashtu tha se është në komunikim me VMRO-në sepse janë forca politike të një vendi. Ndërkohë i pyetur se nëse Veljanoski thërret vazhdimin e seancës, deputetët e BDI-së do të marrin pjesë apo jo, u shpreh i prerë se Veljanoski nuk ka të drejtë morale e as ligjore të thirrë seancë, sepse nuk ka shumicë parlamentare, dhe se duhet të pranoj realitetin se tanimë Talat Xhaferi është kryetar i ri i Kuvendit.


30.Apr.2017