Xhaferi: Askush të mos frikësohet që Parlamenti udhëhiqet nga një shqiptar

Kryeparlamentari i ri i Republikës së Maqedonisë tashmë ka dërguar letrën presidentit Gjorge Ivanov për krijimin e shumicës parlamentare, ndërsa ky i fundit në afat dhjetë ditor duhet të mandatojë liderin e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) për formimin e qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë. 

Deri më 19 maj presidenti duhet të japë mandatin, që më pas të fillojë afati tjetër kushtetues për mandatarin që në një afat kohor prej 20 ditëve të përpilon dhe të negociojë për përmbajtjen e propozim-programit dhe për zgjedhjet e kabinetit të ardhshëm qeveritar.

Kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili u zgjodh në një situatë kaotike nga shumica parlamentare më 27 prill, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) njofton se afati dhjetë ditor fillon nga dita e sotme, ndërsa nuk përjashton mundësinë që presidenti Ivanov të refuzojë mandatimin e liderit të LSDM-së. Ai thekson se mos dhënia e mandatit nga presidenti, sipas rregullores dhe kushtetutës nuk është pengesë për shumicën parlamentare që të vazhdojë me seancën për zgjedhje të qeverisë.

“Për praktikën parlamentare nuk do të ishte mirë që kreu i shtetit të mos përmbushë obligimin e tij për shkak se do të bënte praktikë të keqe parlamentare në të ardhmen, sepse mbi atë praktikë do të mundësonte që edhe kryetarët e radhës të shtetit do të ishin në mundësi të shfrytëzonin një praktikë, e cila është praktikë e keqe, por e përdorshme dhe e mundshme në të ardhmen nëse Ivanov vendos në këtë drejtim të lëviz kundrejt obligimeve të veta”, shprehet Xhaferi.

Xhaferi shton se si pasojë e ngjarjeve të 27 prillit, presidenti Ivanov duhet të ketë reflektuar në kuptimin e njohjes së shkallës së rrezikshmërisë për ecuritë e funksionimit të institucioneve shtetërore në vend dhe se do të respektojë obligimin e tij kushtetues për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re.

Debati 60 ditor rreth çështjes së komisioni, nxitës i incidentit të 27 prillit

27 prillin, mbrëmjen kur turma e protestuesve të dhunshëm hyri brenda ndërtesës së Kuvendit të Maqedonisë, si pasojë e së cilës mbetën të plagosur rreth 100 persona, ndër të cilët edhe deputetë, punonjës të medias dhe pjesëtarë të policisë, Xhaferi e konsideron si data më e zymtë e historisë së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë dhe apelon që përbërja parlamentare aktuale dhe ato të ardhshmet të mos të lejojnë të përsëritet një ngjarje e tillë.

Xhaferi thekson se në debatin 60 ditor rreth pikës për zgjedhjen e përbërjes së Komisionit për emërime dhe zgjedhje gjithçka debatohej, përveç çështjes së komisionit, debat i cili, siç thotë Xhaferi, ishte nxitës i incidentit të 27 prillit përmes qytetarëve që protestonin para ndërtesës së Kuvendit.

“Në atë debat, që më tepër ishte nxitës për publikun që protestonte para Parlamentit, rezultoi që në atë moment turma t’i qaset objektit të Parlamentit. Mirëpo, problemi është se jo që turma ka arritur të shpërthejë barrierën apo dyert e Parlamentit, por është një fatkeqësi për jetën parlamentare të Maqedonisë se pjesë e deputetëve dhe sigurisë së brendshme të Parlamentit bëhen pjesë e skenarit për mundësimin e hyrjes brenda Parlamentit, me çka edhe fizikisht i hapin dyert nga brenda”, deklaron Xhaferi, duke theksuar se kjo vërtetohet nga inçizimet e sistemit të monitorimit të objektit.

Në lidhje me qëndrimet e VMRO-DPMNE-së, parti e cila e konsideron si jolegjitim zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, Xhaferi thotë se është akt politik i një subjekti politik që ngërthen me të drejtën e subjekteve politike për qëndrimet e tyre kundrejt bartësve të institucioneve përkatëse. Sipas tij, ata nuk janë të përjashtuar nga pjesëmarrja në punimet e seancave parlamentare dhe fakti që marrin pjesë në këto punime nënkupton se indirekt ata e pranojnë statusin e kryetarit të ri të Parlamentit.

Xhaferi thotë se VMRO-DPMNE-ja është pakicë parlamentare dhe nuk do të jetë pengesë në konvokimin e seancave, pasi që në momentin e hapjes dhe miratimit të rendit të ditës është e nevojshme shumica parlamentare, më së paku 61 deputetë.

“Do të jetë e nevojshme prezenca e minimun 61 deputetëve në aktin e votimit për pikën përkatëse. Në këtë aspekt nuk ka pengesë që Parlamenti, gjegjësisht seancat të zhvillohet në mënyrë legale dhe legjitime”, shprehet Xhaferi.

Drejtimi i seancave në gjuhën shqipe nuk cenon sovranitetin e Maqedonisë

Xhaferi në vijim thekson se seancat parlamentare do t’i udhëheqë në gjuhën shqipe, sepse siç thotë ai, Ligji dhe Kushtetuta japin hapësirë të interpretimit pozitiv të normës ligjore me të cilën nuk pengohet të jetë e pamundësuar udhëheqja e seancave parlamentare në gjuhën shqipe. Xhaferi shprehet se “kjo është një çështje për të cilën pret debat pak të bujshëm, por për të nuk është problem që në momente të caktuara të përdorë të dy gjuhët zyrtare në Maqedoni”.

“Në këtë drejtim besoj se do të ketë edhe mirëkuptim prej kolegëve, pa marrë parasysh reagimet e mundshme. Besoj se ajo në instancë të fundit nuk është në dëm të Maqedonisë, nuk cenon në asnjë mënyrë statusin në kontekst të asaj çka është sovraniteti dhe integriteti i Maqedonisë në kuptimin e përcaktimit kushtetues, për shkak se bëhet fjalë për të drejtat e qytetarëve të Maqedonisë të parapara edhe me konventat ndërkombëtare”, deklaron Xhaferi.

Ai beson se me kalimin e kohës do të kuptohet se mënyra që udhëhiqet seanca nuk do të korrespondon në aspekt të dëmshëm dhe nuk do të cenohet në asnjë mënyrë statusi i institucionit të Maqedonisë në kuptim të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Askush nuk ka nevojë të jetë i frikësuar që Parlamenti udhëhiqet nga një shqiptar

Në historinë e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi është shqiptari i parë që do të udhëheq një nga tre funksionet më të larta shtetërore. Për këtë zgjedhje Xhaferi thotë se është një përfitim politik në kuptimin e perceptimit të statusit kolektiv të shqiptarëve në Maqedoni.

“Përfitimi është se verifikohet aftësia dhe mundësia e shqiptarëve në Maqedonisë përkrahë qytetarëve tjerë që kanë kapacitetin e duhur intelektual, mental, institucional dhe profesional për të menaxhuar dhe për të udhëhequr me organet më të lartë ose me institucionet më të larta shtetërore, e drejtë njerëzore për mundësi të barabarta në qasjen ndaj institucioneve”, deklaron Xhaferi.

Sipas tij, kjo do të kontribuojë që shqiptarët më tepër të mishërohen dhe të shohin veten aty ku janë të bindur se e kanë vendin, si dhe siç tha ai, në atë se ndajnë kontributin e tyre në çdo aspekt, përfshirë në ndërtimin e shtetit dhe institucioneve shtetërore.

Xhaferi duke marrë shembull vitin 2013 kur ai u zgjodh ministër i Mbrotjes, veprim i cili u shoqërua me protesta të dhunshme, ndërsa pas skadimit të mandatit kishte lëvdata për kryerjen e funksionit me sukses, shprehet se asnjë qytetar nuk ka nevojë të jetë i frikësuar nga fakti që Parlamenti udhëhiqet nga një shqiptar.

“Rezultati i menaxhimit me Ministrinë e Mbrojtjes në fund del se ishte perceptim pozitiv i të gjithë qytetarëve dhe për atë arsye mendoj se edhe kjo frikë e rrejshme dhe e imponuar e një pjese të qytetarëve, pas fillimit të zbatimit të funksionit kryetar parlamenti do të shuhet dalëngadalë duke e parë se Parlamenti as nuk do të shkon në Tiranë, as nuk do të transferohet në Prishtinë, as nuk do të jetë parlament tunguzie, por do të jetë Parlament i Maqedonisë me të gjitha nishanet brenda Maqedonisë”, deklaron Xhaferi.

“Shprehja e ndjenjave personale është e drejta ime”

Sa i përket reagimeve lidhur me vendosjen e flamurit shqiptar në kabinetin e tij, Xhaferi thotë se askush nuk ka të drejtë t’i kontestojë ndjenjat e përkatësisë. Ai thekson se shprehja e ndjenjës personale nuk e rrezikon atë që është institucionale.

“Ajo që është shprehje e ndjenjës time personale, të përkatësisë që i përkas është e drejta ime, pa marrë parasysh nëse jam kryeparlamentar. Unë jam njeriu, individi, Talat Xhaferi, i cili është pjesëtar i popullit shqiptar dhe atë nuk mund ta pengojë askush që ta shpreh si të tillë, sepse me asgjë nuk rrezikoj atë që i përket institucionit, në kontekst të institucionit shtetëror. Shprehja ime e ndjenjës së përkatësisë nuk rrezikon ndjenjën e përkatësive të qytetarëve tjerë të cilët i takojnë popujve tjerë”, thotë Xhaferi.

Statusi i shqiptarëve në Maqedoni ka përparuar dukshëm

Kryeparlamentari i parë shqiptar në historinë e pavarësisë së Maqedonisë, i cili ishte pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në konfliktin e vitit 2001, paraprakisht edhe pjesëtar i Armatës së ish-Federatës Jugosllave, në pyetjen nëse zgjedhja për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë është një ndër hapat në luftën e tij për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, u shpreh se “përpjekjet për të realizuar të drejtat nuk janë vetëm përpjekjet gjatë konfliktit të vitit 2001, por në aspektin personal ata janë përpjekje në çdo aktivitet të tij”.

Xhaferi thekson se përpjekjet kanë qenë që të luftojnë në kuptimin e angazhimit të tyre profesional që edhe detyrat t’i kryejnë konform përcaktimeve ligjore, por edhe statusi dhe qasja ndaj shqiptarëve të jetë konform nevojave të këtij populli.

“Në atë kuptim, po, gjithsesi që kam qenë luftëtar i asaj përpjekje dhe mendoj se me këto përpjekje politike nga viti 2002 e këtej, me Marrëveshjen e Ohrit e këtej, mendoj se është bërë përparim i dukshëm i statusit të shqiptarëve në kuptimin e të drejtave të tyre kolektive, por ajo nuk do të thotë se gjithçka ka mbaruar në kuptimin e asaj çka është avancimi i mëtejshëm i të drejtave dhe statusit tonë brenda shtetit dhe brenda institucioneve të Maqedonisë”, deklaron Xhaferi.

Takimi Xhaferi-Meta, pas formimit të Qeverisë së Maqedonisë

Në lidhje me ftesën ndaj Xhaferit për vizitë në Shqipëri nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë thekson se ajo vizitë do të kontribuojë në ndërtimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por bëri të ditur se do të realizohet pas formimit të Qeverisë së re të Maqedonisë, sepse sipas tij, në periudhën e zgjedhjes së qeverisë ai duhet të jetë prezent në vend.

“Duke marrë parasysh faktin se ne jemi në periudhën e afateve për zgjedhje të qeverisë, unë besoj se koha para zgjedhjes së qeverisë nuk është mundësia që mua do të më lejon, për shkak se duhet të jem si prioritet prezent këtu, që të mund të përcjell zhvillimet që kanë të bëjnë me organizimin dhe zbatimin e seancës parlamentare për zgjedhje të qeverisë”, thotë Xhaferi.

Akuzat ndaj Shqipërisë për ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë, Xhaferi i konsideron si propagandë brenda subjekteve politike të Maqedonisë, sepse siç thotë ai, nuk kanë pasur argument tjetër kundërshtuesit e ecurive politike në Maqedonisë përpos që të inskenojnë rreziqe të paekzistuara.

“Që të dy vendet nuk kanë asnjë çështje të hapur mes veti që u bën problem. Në këtë drejtim mendoj se një vizitë e tillë do të jetë vetëm se ndërtimi i marrëdhënieve të mira që i kanë këta dy vende dhe dy popuj, pa marrë parasysh implikimeve të ngushta të politikave ditore në kuptimin e asaj që është propaganduar maujve të fundit në protestat në Maqedoni, por ajo nuk ka kontribuar dhe nuk ka ndikuar në raportet reale mes dy vendeve, gjegjësisht të dy popujve”, deklaron Xhaferi.

SHBA-të dhe BE-ja dëshmuan angazhimin e tyre në ndihmë të Maqedonisë

Zgjedhja e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë u përshëndet nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, para se gjithash nga SHBA-të, BE-ja dhe NATO, ndërsa në të njëjtën kohë i dënuan ngjarjet e 27 prillit. Xhaferi thotë se këto reagime të komunitetit ndërkombëtar konfirmuan angazhimin në ndihmën e tyre për anëtarësimin e Maqedonisë dhe integrimin e saj euro-atlantik. 

“Reagimet e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht SHBA-të dhe BE-ja, janë rikomfirmim se komuniteti ndërkombëtar është i angazhuar të vazhdojë të ndihmojë Maqedoninë dhe qytetarët e Maqedonisë në rrugën e integrimeve euro-atlantike”, shprehet Xhaferi.

Ai thekson se fakti që shumica parlamentare ka zgjedhur që të punojë në zbatimin e reformave që dalin nga raporti i Pribes është një simbiozë e të gjitha aktiviteteve të përbashkëta të Maqedonisë me komunitetin ndërkombëtar në përmbushjen e të gjitha parakushteve për anëtarësim të plotë në strukturat euro-atlantike.

Marrëdhëniet Maqedoni-Turqi, në nivelin më të lartë të mundshëm

Xhaferi duke folur për marrëdhëniet e Maqedonisë me vendet e rajonit dhe më gjerë, marrëdhëniet me Turqinë i konsideron në nivelin më të lartë të mundshëm, por nuk sheh arsye që ato marrëdhënie të mos vazhdohen edhe më tej.

“Mendoj se nuk ka asnjë pengesë institucionale ndërkombëtare, e cila do të pengonte dhe do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet tona. Në atë drejtim, edhe si Parlament, por edhe unë si kryetar do të bëjmë përpjekje atë nivel të bashkëpunimit ta ruajmë dhe ta ngritim edhe më tej me vendin dhe popullin mik të Turqisë”, thekson Xhaferi.

 


11.May.2017