Takim pune i kryetarit të Kuvendit, z. Talat Xhaferi me ambasadorët e vendeve anëtare të BE

Në fillim të takimit kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, shprehu falënderim për përkrahjen që institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së në mënyrë individuale ia dhanë zgjedhjes së tij si kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Theksoi se mbetet në përcaktimin e tij personal që të jetë kryetar i gjithë qytetarëve dhe gjithë deputetëve, duke e respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Ambasadori i BE-së, z. Samuel Zhbogar, duke e përshëndetur vizitën e z. Xhaferit në Bruksel dhe takimet me përfaqësuesit e lartë të BE-së, theksoi se BE-ja pret që së shpejti të formohet qeveria e re, kurse më pas, së bashku me Kuvendin dhe Institucionet tjera Shtetërore, Republika e Maqedonisë të kthehet në proceset euroatlantike që nënkuptojnë vazhdimin e reformave.

Më shumë ambasadorë parashtruan pyetje konkrete lidhur me prioritetet në punën e Kuvendit, respektivisht pozita-opozita, transparenca e Kuvendit ndaj qytetarëve dhe publikut dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile.

Kryetari Xhaferi, theksoi se prioritet është gjithsesi zgjedhja e Qeverisë së re, me çka pret që presidenti i Republikës së Maqedonisë, z. Gjorgje Ivanov, ta respektojë Kushtetutën, pasi që bëhet fjalë për obligime institucionale, dhe nuk është çështje e vullnetit personal.

Hapat e radhës në punën e Kuvendit të jenë në kontekst të formimit të komisioneve të Kuvendit, pasi që ajo është parakusht që të shpallen zgjedhjet lokale.

Për urgjencën dhe seriozitetin e kësaj çështje janë njoftuar liderët e partive parlamentare, dhe sapo të arrihet marrëveshje, menjëherë do të caktohet seanca në Kuvend.

Duke iu referuar pritjeve të opinionit vendas dhe ndërkombëtar për nevojën e kthimit të kredibilitetit të Kuvendit, Kryetari Xhaferi theksoi se ai personalisht do të angazhohet që ai perceptim të ndryshojë.

Gjithsesi, ajo nuk mund të ndodhë brenda natës dhe përveç angazhimit personal, nevojitet angazhim aktiv i të gjithë 120 deputetëve. Përndryshe unë personalisht, dhe në këtë rast, dua ta përsëris qëndrimin dhe bindjen time se Kuvendi duhet të jetë transparent në mënyrë maksimale dhe kooperativ me qytetarët, me sektorin joqeveritar dhe mediat.


12.May.2017