Kryetari Ahmeti takon Liderin e LSDM, Zoran Zaev
Integrimi i menjëhershëm i vendit në NATO dhe hapja e bisedimeve për anëtarësim në BE

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim ka pritur sot në një takim pune në selinë e BDIsë në Tetovë, liderin e LSDMsë, z. Zoran Zaev.
 
Z. Ahmeti dhe z. Zaev diskutuan rreth formalizimit të procesit të formimit të Qeverisë së re reformuese të Maqedonisë dhe prioriteteve të shumicës së re në vend. 
 
Dy liderët e koalicionit u dakorduan rreth parimeve të qeverisjes me c’rast përsëritën prioritetet e shumicës së re që përfshijnë reformat serioze në sundimin e së drejtës në përputhje me rekomandimet e komunitetit ndërkombëtar, integrimin e vendit në NATO dhe BE, Marrëveshjen e Ohrit dhe marrëdhëniet ndëretnike si dhe hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e ekonomik bashkë me rritjen e standardit jetësor.
 
Një ndër prioritetet e qeverisjes do të jetë edhe integrimi i menjëhershëm i vendit në NATO dhe hapja e bisedimeve për anëtarësim në BE me c’rast palët u dakorduan për angazhim serioz në drejtim të realizimit të këtij synimi të përbashkët.
 
Pas harmonizimit parimor dhe programor, dy partnerët e koalicionit diskutuan edhe për ndarjen e resoreve dhe ranë dakord që kabineti i ardhshëm qeveritar ka nevojë për njerëz të përgjegjshëm dhe të kualifikuar për ti prirë proceseve shumë të rëndësishme për vendin tonë.


22.May.2017