Kryetari Ahmeti në takim me Metju Palmer dhe Xhes Bejli
Anëtarësimi i menjëhershëm i Maqedonisë në NATO është më se i nevojshëm dhe BDI do të bën çmos që të arrihet ky synim i joni

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim është takuar sot në Ambasadën e SHBAve në Shkup me Drejtorin e zyrës për çështje të Evropës Jugore dhe Qëndrore në Stejt Departmentin Amerikan, z. Metju Palmer, si dhe Ambasadorin Amerikan në Maqedoni, z. Xhes Bejli.

Kryetari Ahmeti dhe mysafiri nga Washingtoni diskutuan për situatën aktuale në vend dhe rajon, sfidat e Qeverisë së re reformuese si dhe për prospektet integruese te vendit në NATO dhe BE. 

Z. Ahmeti njoftoi z. Palmer për prioritetet e BDIsë në Qeverinë e re e që përfshijnë zbatim të reformave në sundimin e së drejtës, zbatimin e përpiktë të Marrëveshjes së Ohrit, integrimin e menjëhershëm në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian bashkë me zhvillimin ekonomik, rritjen e standardit jetësor dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Kryetari Ahmeti theksoi që anëtarësimi i menjëhershëm i Maqedonisë në NATO është më se i nevojshëm dhe BDI do të bën çmos që të arrihet ky synim i joni. Çdo vonesë në këtë rrugëtim mundëson hapësirë për shtrirje të ideologjive të huaja, përplasje gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

Z. Ahmeti nënvizoi përkushtimin e tij të palëkundur që këto synime të realizohen dhe ftoi SHBAtë dhe komunitetin ndërkombëtar që të na ndihmojnë në tejkalimin e pengesave në drejtim të jetësimit të këtyre përcaktimeve.


14.Jun.2017