Takimi i sotëm, Kryetari Ahmeti: Pjesa më e madhe e kërkesave tona janë përfshirë në programin e Qeverisë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti pas takimit të sotëm me partitë parlamentare shqiptare të thirrur në iniciativë të tij, deklaroi se kanë konstatuar se pjesa më e madhe e përcaktimeve të tij partiake veçmë janë përfshirë në programin e Qeverisë së re.

“Takimi i sotëm ishte vazhdimësi e takimeve mes partive politike parlamentare shqiptare, vlerësuam punën e mirë që është bërë deri më tani, kemi bërë bilanc të të gjitha programeve zgjedhore të partive politike, me çka një pjesë e këtyre përcaktimeve, tanimë një pjesë e tyre vetëm se janë përfshirë në programin qeveritar. Ja t’u marrë shembull praktik, kemi kërkuar të bëhen takime e rregullta me fqinjët, rezultate ka pasur takime në Sofje, në Athinë, por dhe vizitat që do të bëhen nga autoritet e larta si paralajmërimet e Nimicit dhe Pribesë e tjerë”, Ahmeti.

Ai theksoi se pjesëmarrja e PDSH-së së Menduh Thaçit në këto takime është pozitive dhe sipas tij, edhe pse kjo parti është opozitare edhe ajo do të duhet që ta drejtojë, sipas rotacionit në këtë tryezë.

“Pavarësisht se është parti opozitare, edhe ajo do ta drejtojë një takim të këtillë të përbashkët, ndamë brengosje të përbashkët që Besa nuk ka marrë pjesë. Të gjithë partitë politike e kanë përshëndetur pjesëmarrjen e PDSH-së”, tha Ahmeti.

Ai, apeloi deri te Lëvizja BESA që të formojë dhe nominojë anëtarë për në Komisionin për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, pasi që sipas tij, me këtë po e bllokon procesin për zbardhjen e rasteve të ndjeshme në opinion.

“Apelojmë te Lëvizja BESA që ata në Komisionin e përbashkët për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, ta emërojë sa më shpejtë sepse për ne është shumë me rëndësi që ky komision të fillojë të funksionojë, për shkak se kemi shumë raste që duhet të zbardhen rasti ‘Kumanova’, ‘Monstra’, ‘Brodeci’ etj. dhe ky proces është bllokuar për shkak të mos nominimit të Lëvizjes BESA”, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.


28.Jun.2017