Miratohet Deklarata për proceset reformuese dhe integruese për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO

Komisioni për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në mbledhjen e tij të dytë (14 korrik 2017), gjithashtu diskutoi edhe për Deklaratën për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO. 

Fjalim hyrës për pikën mbajti Kryetari i Komisionit, z. Artan Grubi, i cili theksoi se Komisioni e përpiloi tekstin e Deklaratës për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO, në bazë të konkluzionit të miratuar njëzëri në Mbledhjen e parë të komisionit. 

Deklarata e harmonizuar për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO paraqet hap të parë kryesor drejt reformave dhe ka për qëllim vërtetimin e bashkimit dhe përkushtimit mbipartiak konsensual rreth përpjekjeve të përbashkëta për realizimin e përcaktimit tonë strategjik shtetëror, anëtarësimi në BE dhe NATO, e për të cilën ekziston pëlqim nga ana e të gjitha faktorëve politikë, të përfaqësuar në Kuvendin e RM-së.  

Gjithashtu, kjo Deklaratë është obligim i yni, i ndërmarrë në kuadër të Prioriteteve urgjente të reformës nga viti 2015, përfshirë edhe Rekomandimet e grupit të ekspertëve të lartë për çështje sistemore nga sundimi i të drejtës të z.  Pribe, si dhe obligimet nga Marrëveshja e Përzhinos.  

Kryetari i Komisionit Grubi, në veçanti e potencoi konstruktivitetin dhe bashkëpunimin e anëtarëve të Komisionit edhe nga partia në pushtet dhe nga opozita, gjatë përpilimit të Deklaratës. 

Me ftesë të kryetarit të Komisionit z. Grubi, ne mbledhje ishin të pranishëm: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z.  Talat Xhaferi, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, z.  Zoran Zaev, zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, i ngarkuar për çështje evropiane, z.  Bujar Osmani.  

Në bazë të debatit, Deklarata për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO u miratua njëzëri me mbështetjen e të gjitha partive parlamentare. 

Tekstin e Propozim-Deklaratës jua dërgojmë në shtojcë

DEKLARATA PËR PËRSHPEJTIMIN E PROCESEVE REFORMUESE DHE INTEGRUESE PËR ANËTARËSIMIN E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË NË BASHKIMIN EVROPIAN DHE NATO 

Duke u nisur nga përcaktimi strategjik i Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, vërtetuar nga momenti i pavarësisë në vitin 1991,

Duke i pasur parasysh: 
Konkluzionet e Kryesimit nga mbledhja e Këshillit Evropian në Selanik më 19 dhe 20 qershor 2003 në lidhje me perspektivat e vendeve nga Ballkani Perëndimor për aderim në BE, 
Marrëveshja për stabilizim dhe asociim ndërmjet Komuniteteve Evropian dhe vendeve të tyre anëtare, nga njëra anë, dhe Republika e Maqedonisë, nga ana tjetër, 
Vendimi i Këshillit Evropian nga 16 dhjetor 2005 dhe t'i ndahet vendit status të kandidatit për anëtarësim në BE. 
Raporti i Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë për vitin 2009, kur Komisioni Evropian rekomandoi fillim të negociatave aderuese me Republikën e Maqedonisë, si dhe rekomandimet e njëpasnjëshme në Raportet nga viti 2010, 2011, 2012, 2013 dhe 2014, 2015 dhe 2016, 
Prioritetet urgjente të reformës të Komisionit për Republikën e Maqedonisë nga qershori i vitit 2015, rekomandimet e grupit të ekspertëve të lartë për çështje sistemore në lidhje me sundimin e të drejtës, 
Deklarata për zhvillimin e marrëdhënieve të Republikës së Maqedonisë me Bashkimin Evropian e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 4 shkurt 1998, Deklarata për ngritjen e nivelit të marrëdhënieve të Republikës së Maqedonisë me Bashkimin Evropian e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 23 nëntor 2000, Deklarata për rolin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Dimensionin parlamentar të procesit për stabilizim dhe asociim nga 11 qershor 2003, Deklarata për parashtrimin e kërkesës për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian të miratuar më 13 shkurt 2004, Rezoluta për prioritetet për aderim të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe hapje të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga 27 nëntor 2017 dhe Rezoluta për prioritetet në vitin 2009 për aderim të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian të miratuar më 15 dhjetor 2008, 
Vendimi për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior- NATO të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 23 dhjetor 1993, Deklarata për ngritjen e nivelit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe NATO-s të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 21 maj 2004, Deklarata për kërkesën e mbështetjes për pranim të Republikës së Maqedonisë në NATO të miratuar më 19 qershor 2007 dhe Deklarata për riafirmim të përcaktimit për realizim të qëllimit strategjik për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në NATO të miratuar më 25 prill 2012. 

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë: 
1. E vërteton bashkimin e tij mbipartiak rreth përpjekjeve të përbashkëta për sigurimin e klimës pozitive me qëllim realizimin e përcaktimit strategjik shtetëror, anëtarësimin në BE, si qëllim i përbashkët i të gjitha faktorëve politikë që janë pjesë e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. 
2. E nxit Qeverinë e Republikës së Maqedonisë për realizim konsekuent dhe të paprolongueshëm dhe urgjent të të gjitha aktiviteteve, të paraparë në rekomandimet që dalin nga Raporti i Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë për vitin 2016, si dhe prioritetet që dalin nga Prioritetet urgjente reformuese nga viti 2015.  
3. E nxit Qeverinë e Republikës së Maqedonisë për harmonizimin e mëtutjeshëm të legjislacionit të Republikës së Maqedonisë me legjislacionin e BE-së, në pajtim me Programin nacional për miratimin e të drejtës së BE-së. 
4. Angazhohet për pushtet të pavarur gjyqësor, transparencë dhe efikasitet të gjyqësisë. 
5. E vërteton përkushtimin ndaj luftës së paepur kundër korrupsionit. 
6. Angazhohet për administratë profesionale, të bazuar në principin e cilësisë, profesionalizimit dhe kompetencës. 
7. E potencon rëndësinë e forcimit të trupave të pavarur rregullatore dhe shpreh gatishmëri për forcimin e rolit të tij në këtë drejtim. 
8. Angazhohet për realizimin e reformave në sistemin për zbulim dhe sistemin për ndjekje të komunikimeve, të orientuara drejt funksionimit efikas dhe sigurimit të sundimit të së drejtës. 
9. E potencon rëndësinë e kohezionit social dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.  Angazhohet për ndjekjen e implementimit të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.  
10. E vërteton përcaktimin për avancimin e marrëdhënieve me vendet fqinje, përmes dialogut konstruktiv dhe të barabartë, si kontribut esencial për stabilitetin e rajonit dhe për avancimin e proceseve euroatlantike, me ç'rast sugjeron në nevojën për përfshirje të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në atë dialog. 
11. I fton vendet anëtare dhe institucionet e BE-së t'i mbështesin fuqimisht proceset integruese dhe reformat për anëtarësim në BE dhe NATO.  
12. E fton Qeverinë që rregullisht dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse ta njoftojë dhe përfshijë Kuvendin në të gjitha aspektet e procesit për anëtarësim në BE dhe NATO. 
13. Kjo Deklaratë t'i dorëzohet Kryetarit të Parlamentit Evropian, Kryesuesit të Këshillit Ministror të Bashkimit Evropian dhe Kryetarit të Këshillit Evropian, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Kryetarit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Evropian, si dhe kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s dhe 
14. Kjo Deklaratë do të botohet në "Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë". 


14.Jul.2017