Ministri Kreshnik Bekteshi u takua me ambasadorin e SHBA-ve, Xhes Bejli

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe Ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni Jess Bailey mbajtën një takim të përbashkët, në të cilin, duke uruar për një bashkëpunim të mirë në periudhën e ardhshme, konfirmuan rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve si bazë për realizimin e prioriteteve të përcaktuara. 

Në takim, u bisedua për Samitin e sapombajtur në Trieshtë të Italisë dhe investimet në Ballkanin Perëndimor në energji dhe infrastrukturë, me qëllim që të sigurohet konkurrencë dhe qëndrueshmëri në rajon, në rrugën drejt BE-së. 

Ministri Bekteshi theksoi angazhimin e fuqishëm për të vazhduar reformat në sektorin e energjisë, në përputhje me dinamikën e nevojshme, duke e informuar se tashmë është duke punuar në një projekt-tekst të ri të Ligjit për Energjinë, i cili gjatë 3 muajve të ardhshëm do të rezultojë në një ligj të ri, në të cilin do të implementohen direktivat evropiane. 

Sipas Bekteshit prej tij do të dalin edhe programet e reja në të cilat theksi do të vendoset në efikasitetin energjetik dhe energjinë e rinovueshme, dhe për këtë arsye do të jetë e mirëseardhur përkrahja për të vazhduar projektin për futjen e masave të efikasitetit energjetik në ndërtesat publike. 

Në pjesën e investimeve, si një motor lëvizës i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, Ministri Bekteshi informoi se në zonat e lira ekonomike, veprojnë 8 kompani amerikane me një investim total prej 150 milion dollarë në faza, që është një sinjal i mirë për bizneset amerikane dhe investitorët e huaj në përgjithësi dhe se Maqedonia është e gatshme për të filluar një propozim për një marrëveshje mbi mbrojtjen e ndërsjelltë të investimeve. 

Në këtë drejtim, Bekteshi kërkoi ndihmë ekspertësh në drejtim të përmirësimit të bashkëpunimit mes kompanive vendore si furnizues të investitorëve të huaj, që do të kontribuonte në zhvillimin më dinamik lokal dhe rajonal ekonomik. 

Për më tepër, ai shpjegoi se krijimi i një bashkëpunimi të tillë është nisur përmes takimeve B2B, por mbështetja e ekspertëve është veçanërisht e rëndësishme për shkak të diversitetit të standardeve që aplikohen në tregun evropian dhe amerikan. 

Ambasada e SHBA-ve paraqiti shkurtimisht projektin e ri të USAID-it për mbështetjen e biznesit për mbrojtjen e konkurrencës dhe shprehu gatishmërinë për të bërë një prezantim për të gjitha projektet aktive, duke përfshirë ato që janë zbatuar për të mbështetur zhvillimin e sektorit të energjisë. 

Në takim u diskutua edhe për zbatimin e infrastrukturës gazsjellëse, për pjesën e fazave të gazifikimit.

Ambasadori Bailey tha se Shtetet e Bashkuara mbeten një partner i fortë strategjik i Maqedonisë, dhe se vendosja e marrëdhënieve edhe më të forta ekonomike dhe politike është në interes reciprok të dy vendeve.


14.Jul.2017