Bekteshi: Memorandumi, fillimi i një partneriteti strategjik në sektorin e gazit natyror

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi  dhe Ministri i Energjetikës i Republikës së Bullgarisë, znj.Temenuzhka Petkova sot nënshkruan Memorandum për bashkëpunim midis dy ministrive.

Me këtë memorandum parashihet thellim i bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe zhvillimin e partneritetit bilateral strategjik në sektorin e gazit natyror, përmes zhvillimit të një linje të re të drejtpërdrejtë midis sistemeve të gazit natyror në Republikën e Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Për zbatimin e planit, është planifikuar krijimi i një grupi ndërqeveritar me ekspertë të fushës së gazit, i cili  brenda gjashtë muajve pas hyrjes në fuqi të këtij dokumenti, do të duhet të hartojë draft-raportin teknologjiko-ekonomik për ndërtimin e lidhjes së re të gazit. Ky raport duhet të përfshijë një analizë të tregut, aspektet teknike, ekonomike, financiare dhe rregullatore të projektit dhe të ofrojë zgjidhje për infrastrukturën e nevojshme në territorin e dy vendeve.

Nënshkrimi i memorandumit është një hap përpara në përmbushjen e objektivave të bashkëpunimit në sektorin e energjisë mes dy vendeve, krijimin e një tregu rajonal të energjisë në Evropën Juglindore, të integruar plotësisht në tregun e brendshëm të energjisë të Komunitetit të Energjisë.

Ministrat Bekteshi dhe Petkova, pas takimit të delegacioneve të dy qeverive,  zhvilluan një takim bilateral, ku u bisedua për bashkëpunimin në sektorin e energjisë dhe të projekteve në fushën e energjisë që janë me interes të përbashkët për të dy vendet.

Bashkëpunimi i deritanishëm me Republikën e Bullgarisë zhvillohet në fushën e interkoneksionit të energjisë përmes ndërtimit të transmetuesit 400 kV Shtip - Cërvena Mogilla, si pjesë e Korridorit VIII, si dhe në pjesën e hidrocentraleve të vogla.

Memorandum i nënshkruar, nga ana tjetër, hap mundësi të reja për bashkëpunim dypalësh në sektorin e gazit, por edhe nxit bashkëpunim energjetik rajonal në Ballkan, në përputhje me politikat shtetërore  të energjisë të dy vendeve dhe të politikës së përbashkët energjetike të BE-së dhe Komunitetit të Energjisë.


04.Aug.2017