Legalizohen objektet fetare, Bejta: Kjo është detyra jonë në emër të mirësisë

Me një ceremoni, u ndanë sot legalizime për rreth 15 xhami dhe mektepe në territorin e komunës së Gostivarit.

Kryetari i Komunës Nevzat Bejta mori pjesë në aktivitet, duke përgëzuar Muftininë dhe Bashkësinë Fetare Islame nëpërmjet muftiut të Gostivarit Shaqir Ef. Fetahu.

Bejta priti gjithashtu përfaqësues  të xhamive të cilët pranuan akt-vendimet për legalizim.

“Kjo është detyra jonë në emër të mirësisë. Rreth 15 Xhami dhe Mektepe në qytetin dhe në fshatrat tona do të jenë tani të legalizuara. Edhe më herët komuna ka ndarë akt-vendime për legalizim të objekteve fetare, një ndër to edhe objekti i Muftinisë së Gostivarit. Gjithashtu, më herët Këshilli i Komunës ka liruar edhe nga taksat e nevojshme subjektet fetare. Por, të gjitha këto arritje janë shumë pak përballë asaj çka ne i detyrohemi Zotit, udhëheqësve shpirtërorë dhe njëri tjetrit në emër të mirësisë,” u shpreh Bejta.

Nga ana e tij, Muftiu i Gostivarit Shaqir. Ef. Fetahu shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e Komunës.

“Ne sot duhet të mburremi që bashkëpunimi Komunë – Muftini, bën një vepër kaq madhore sa që nuk do të jetë një e mirë vetëm për Muftininë por për Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë. E them këtë sepse ky akt filloi në Komunën e Gostivarit me në krye Nevzat Bejtën shumë vite më parë. Komuna e Gostivarit në krye me  Nevzat Bejta sot kanë bërë një tjetër vepër të madhe, një vepër që respekton besimin Islam, që respekton Zotin, që respekton besimtarët Islam, që respekton të gjithë njerëzit në përgjithësi,” tha Muftiu i Gostivarit.

Disa nga objektet që përfituan akt-vendime të plotfuqishme për legalizim ishin Xhamia e Kadrit,  Xhamia e Lajthisë, Xhamia Loke dhe Xhamia e vjetër në fshatin Çegran, Xhamia e re, e vjetër dhe e Bedrit në fshatin Forinë, Xhamia e re dhe e vjetër në fshatin Balindoll, Xhamitë e fshatit Debresh, Fazanerisë, Banjicë e Epërme, Xhamia e Malësisë, si dhe objekti i ndihmës së Muftinisë së Gostivarit.


07.Aug.2017