Kryeparlamentari Xhaferi takon homologun bullgar, Gllavçev

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Kryetarin e Kuvendit Popullor të Republikës së Bulgarisë, z. Dimitar Gllavçev, i cili po qëndron në vizitë të shkurtër pune në Republikën e Maqedonisë. 

Kryetari Xhaferi theksoi se ka ardhur momenti për fillimin e faqes së re në marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve me ç'rast iu falënderua për mbështetjen që Republika e Bulgarisë ia dha Republikës së Maqedonisë dhe për aspiratat e saj për anëtarësim në NATO dhe në BE. 

Ai, gjithashtu, e përshëndeti bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet kryetarëve dhe deputetëve të të dyja parlamenteve në të gjitha mandatet e njëpasnjëshme dhe u shpreh se kjo do të intensifikohet në të ardhmen, veçanërisht në dritën e marrëveshjes së nënshkruar për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim nga kryeministrat e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bulgarisë.

Kryetari Gllavçev u shpreh i kënaqur nga vizita në Republikën e Maqedonisë, duke vlerësuar se me nënshkrimin e marrëveshjes fillon një histori e re në marrëdhëniet e të dyja vendeve dhe u shpreh i bindur se Kuvendi Popullor i Republikës së Bulgarisë, përsëri do ta jap mbështetjen me ratifikimin e marrëveshjes, gjithashtu, edhe mbështetjen për proceset demokratike në Republikën e Maqedonisë dhe për nënshkrimin e marrëveshjes. 

Ai theksoi se me marrëveshjen hapen horizontet e reja për bashkëpunim në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe ndërmjet të dyja parlamenteve në nivel të komisioneve dhe grupeve për bashkëpunim, në temat me interes reciprok dhe me interes për Republikën e Maqedonisë dhe përmbushjen e kritereve për integrimin e saj euroatlantik. 

Në këtë rast, Kryetari Gllavçev e ftoi Kryetarin Xhaferi të marrë pjesë në ratifikimin e Marrëveshjes në Kuvendin Popullor të Republikës së Bulgarisë.


08.Aug.2017