Gostivar: Bejta përuron vitin shkollor dhe dy investime në shkollën Bashkimi

Nxënësit e shkollës Bashkimi në Gostivar, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, janë vizituar nga Kryetari i Komunës së qytetit Nevzat Bejta.

Bejta, i cili me këtë rast përuroi dhe investimet për tavolinat, ulëset dhe kaldajën e re të ngrohjes qendrore të shkollës, uroi nxënësit për vitin e ri shkollor dhe u dha një këshillë si ish-mësimdhënës.

“Siç e dini, gjatë shkollës krijohen shokë, shoqe, bisedohet për fustane, filma, etj. Por gjithashtu ka dhe detyra: duhet mësuar dhe duhen bërë detyrat e shtëpisë. Por a e dinit që kënaqësia më e madhe vjen pikërisht kur përmbush këto detyra?” u shpreh ai.

Bejta përgëzoi edhe mësimdhënësit për punën e tyre dhe premtoi se Komuna do të vazhdojë t’i mbështesë në misionin e tyre fisnik me nxënësit.

“Detyra për të përmbushur ka përditë edhe Komuna. Një prej më të rëndësishmeve për ne është të përmirësojmë sa më shumë kushtet tuaja. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për ju dhe të gjitha shkollat e Gostivarit,” u shpreh Bejta.

Drejtori i shkollës, Mersel Sadiku shprehu mirënjohje për investimet e bëra brenda një viti.

“Kemi 270 tavolina dhe 540 ulëse të reja me vlerë investimi dyzet mijë euro, si dhe kaldajë të re për sistemin e ngrohjes qendrore me vlerë njëzet mijë euro. I jemi mirënjohës Kryetarit të Gostivarit Bejta për mbështejen e vazhdueshme ndaj institucionit tonë të arsimit,” tha drejtori i shkollës, Mersel Sadiku.

Pas ceremonisë u ndanë dhurata simbolike për fëmijët.


04.Sep.2017