Grubi: Ligji për gjuhët në lexim të parë kaloi në KÇE

Komisioni për Çështje Evropiane (KÇE) i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, me të cilin kryesoi Kryetari i komisionit z. Artan Grubi sot (7 shtator 2017) e përfundoi shqyrtimin e përgjithshëm të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në lexim të parë, me çka Komisioni me 9 vota "PRO" dhe me asnjë votë "KUNDËR" dhe "TË PËRMBAJTUR" e miratoi konkluzionin se Ligji është i pranueshëm, edhe nga aspekti i harmonizimit të tij me legjislacionin e BE-së, dhe duhet të jepet në lexim të mëtejmë.  

Kryetari i Komisionit z. Artan Grubi, në fjalimin e tij hyrës e theksoi rëndësinë e miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, me çka rrumbullakohet pjesa normative, e cila buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe nga Amendamenti i 5-të i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, me ç’rast i falënderoi deputetët e të gjithë partive politike, të cilët morën pjesë në debat për konstruktivitetin dhe kontributin e tyre në debat. 

Komisioni, si trup  punues amë i Ligjit, i cili është me flamurin e Bashkimit Evropian, dhe është pjesë e Programit Nacional për harmonizimin e legjislacionit me BE-në për periudhën 2017-2020, e filloi debatin për Ligjin të martën, që vazhdoi të mërkurën dhe përfundoi sot, në pajtim me dispozitat e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, me të cilat përcaktohet që shqyrtimi i përgjithshëm për ligjin në lexim të parë të përfundojë më së shumti në kuadër të tre ditë pune. 

Gjatë debatit treditorë në Komision, morën pjesë deputetët: Antonio Milloshoski, Xhevat Ademi, Ilija Dimovski, Stevo Pendarovski, Mirsada  Emini, Vesel Memedi, Rexhail Ismaili, Vlladanka Aviroviq,  Petre Shilegov, Nevenka Stamenkovska, Nolla Ismailoska, Zhaklina Peshevska, Trajço Dimkov, Zekir Ramçilloviq, Shpresa Hadri, Dimitar Stevananxhija, Fadil Zendeli, Ejup Alimi, Tomisllav Tuntev.  


07.Sep.2017