Ministri Bekteshi u takua me hotelierët, interes i madh për pushimet e organizuar

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot zhvilloi takim pune me përfaqësuesit e odave të hotelierisë dhe turizmit në vend. Qëllimi i takimit ishte zbatimi i masës më të re, për pushime të organizuara për punëtorë me të ardhura të ulëta, e cila si propozim i Ministrisë së Ekonomisë, u miratua nga qeveria.

Gjatë këtij takimi me ministrin Bekteshi, është shprehur interes i madh për këtë program, me çrast Ministri Bekteshi kërkoi nga të gjithë të pranishmit që në kohë t'i informojnë anëtarët e tyre për shpalljen dhe kushtet për aplikim. Në takim ministri gjithashtu ka kërkuar që odat të nënshkruajnë memorandum me Ministrinë e Ekonomisë, me të cilin do të përcaktohen kushtet e mëposhtme: nuk duhet të ketë keqpërdorime me Vërtetimet të cilat do të jepen nga Ministria, hotelet duhet të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët, hotelet duhet të propozojnë pako promovuese me çmime reale dhe në përputhje me standardet e ushqimit.

Odat turistike dhe hotelierike propozuan që gjatë marrjes së vërtetimit nga ana e ministrisë, aplikantët të kenë qasje edhe në listën e hoteleve ku ata do të mund të shfrytëzonin shërbimet, me oferta speciale, propozime që u pranuan nga ministri.

Rikujtojmë se qëllimi kryesor i kësaj mase është që personave me të ardhura të ulëta (familjet me të ardhura deri në 22 mijë denarë) tu mundësohet të shfrytëzojnë pushimet vjetore në qendrat turistike të Republikës së Maqedonisë, të cilët sipas parimit “i pari vjen, i pari shërbehesh”,  nga Ministria e Ekonomisë do të  marrin një Vërtetim me vlerë prej 15 mijë denarësh, duke ndihmuar kështu edhe qendrat turistike në rritjen e punës edhe jashtë sezonit turistik.

Thirrja publike për paraqitjen e hoteleve të interesuara do të zgjasë nga 5 deri më 14 shtator 2017, ndërsa të drejtë për aplikim kanë të gjitha objektet e kategorizuara hotelerike për akomodim në Republikën e Maqedonisë.


07.Sep.2017