Xhaferi: Kemi bërë hapa të mëdhenj përpara në 26 vitet e fundit

Në 26 vitet e fundit janë bërë hapa të rëndësishëm përpara në qëllimet strategjike të Republikës së Maqedonisë, e cila sot është subjekt i njohur ndërkombëtar dhe faktor i stabiliteti në rajon dhe më gjerë, theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në fjalimin në pritjen që e ka organizuar sonte me rastin e Ditës së Pavarësisë - 8 Shtatori.

Në pritje ishin të pranishëm kryeministri Zoran Zaev, ministra, deputetë nga përbërja aktuale dhe e kaluar, përfaqësues të korit diplomatik, bashkësitë fetare, sektori civil dhe i biznesit...

Xhaferi shprehu mirënjohje ndaj deputetëve të përbërjes së parë parlamentare të Republikës së Maqedonisë. Ato, e zbatuan vullnetin e qytetarëve të shprehur në referendumin që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991. Referendum në të cilin Maqedonasit, Shqiptarët, Romët, Turqit, Serbet, Boshnjakët dhe të tjerët u përcaktuan për shtet autonom dhe të pavarur të Republikës së Maqedonisë.

"Nëse me Ilindenin e parë të vitit 1903 u determinua përcaktimi për shtet të pavarur, në Ilindenin e dytë në vitin 1944 KAÇKJ, Republika e Maqedonisë i fitoi elementet themelore të shtetit si njësi federale në kuadër të ish Jugosllavisë. Ajo shtetësi dhe pavarësi u rrumbullakua më 8 shtator të vitit 1991, përmes vullnetit të qytetarëve të shprehur në mënyrë të qartë. Gjithë procesi i pavarësimit, prej nxjerrjes së Kushtetutës, deri në nxjerrjen e më shumë ligjeve sistemore, respektivisht krijimi i rendit juridik, zhvillohej në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe pikërisht këtu shihet roli historik dhe kontributi i kolegëve deputetë nga përbërja e parë parlamentare", tha Xhaferi.

Para njëzet e gjashtë viteve, siç theksoi Xhaferi, u determinuan edhe qëllimet strategjike, si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin e jashtëm. Në planin e brendshëm, Republika e Maqedonisë ishte definuar si shtet qytetar i cili bazohet mbi të drejtat dhe liritë njerëzore individuale dhe kolektive, mbi parimet e demokracisë parlamentare dhe sundimin e të drejtës, respektimin e pronës private dhe rregullave të tregut. Me këtë rast, shoqëria ishte definuar si multietnike, multikulturore dhe multikonfesionale. Në planin e jashtëm, qëllim prioritar strategjik ishte përcaktuar integrimi i plotë në strukturat euroatlantike, respektivisht anëtarësimi i plotfuqishëm në BE dhe NATO.

"Mendoj se në këto njëzetegjashtë vite, duke i marrë parasysh arsyet objektive dhe ato subjektive, mandej edhe mosmarrëveshjet e brendshme, përsëri, kemi bërë hapa të mëdha përpara në realizimin e përcaktimeve tona strategjike", tha Xhaferi.

Sipas tij, Republika e Maqedonisë është subjekt i njohur ndërkombëtar, i cili në një periudhë të caktuar kohore paraqiste kanosje për paqen në rajon, mirëpo, tani është faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Është fakt se si demokraci e re, akoma kemi nevojë për ndihmë ose këshilla nga miqtë tanë ndërkombëtarë në zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve tona politike vendore, të cilat në momente kanë një karakter tipik folklor, por përsëri mendoj se dalë ngadalë po e tejkalojmë edhe këtë fazë.

 Duke potencuar se para do kohe përfunduan njëqind ditë nga konstituimi i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë a së shpejti do të kalojnë edhe njëqind ditët e formimit të Qeverisë aktuale të Republikës së Maqedonisë. Nuk do të flas për atë se çka është bërë ose nuk është bërë gjatë këtyre njëqind ditëve, por, dua të theksoj vetëm një fakt. Kjo shumicë parlamentare, ka guxim, ka vullnet, a ka edhe dituri dhe kapacitet për të bërë hapa të konsiderueshme përpara, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm, në realizimin e qëllimeve tona strategjike të definuara siç thashë, para njëzetegjashtë viteve. Gjithsesi se në këto procese pres që kontributin e vet ta japë edhe opozita me kritika të argumentuara mirëpo edhe me propozime konstruktive. Ndërsa shumica ka obligim që të krijojë kushte që opozita të mundet gjithë këtë ta artikulojë përmes institucioneve në mënyrë transparente para opinionit.

"Shpresoj se të gjithë ne që jemi në politikë, falë besimit të qytetarëve, i mësuam postulatet themelore të demokracisë parlamentare, gjegjësisht, gjatë marrjes së vendimeve tona politike, në plan të parë gjithmonë të jetë qytetari, të drejtat dhe liritë e tij, e tashmja e tij stabile dhe ardhmëria më e mirë", tha Xhaferi.

Ai dërgoi urime deri te të gjithë qytetarët dhe u dëshiroi para se gjithash lumturi personale mirëpo, edhe përkushtim më të madh dhe përgjegjësi për Republikë të Maqedonisë më të mirë evropiane.


07.Sep.2017