Letër publike e Ali Ahmetit drejtuar votuesve
Rruga jonë ka një pikënisje të përbashkët, ashtu siç ka edhe një pikëtakim të njejtë. Rrugëtimi jonë ka një mision

Të nderuar,
 
Rrugën tonë të gjatë dhe jo të lehtë e nisëm bashkë, 15 vite më parë.
 
Rruga jonë ka një pikënisje të përbashkët, ashtu siç ka edhe një pikëtakim të njejtë. Rrugëtimi jonë ka një mision!
 
Gjatë rrugëtimit tonë shumëvjeçar jemi ballafaquar me përballje nga më të ndryshmet dhe nga më të vështirat, por drejtimin e paracaktuar nuk e kemi humbur në asnjë çast.
 
Realizimi i synimeve tona, shtruarja e kësaj rruge, e këtij drejtimi, nuk ishte gjithënjë i lehtë, por e nisëm bashkë me ndryshimet kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen Paqësore të Ohrit, për të vijuar me zbatimin e shtyllave të këtij dokumenti.
 
Shtyllat si ndarja e re teritoriale dhe ligji për decentralizim, simbolet kombëtare, arsimi shqip në të gjitha nivelet, gjuha shqipe e barabartë, amnestia për ushtarët e UÇKsë,  përfaqësimi i drejtë dhe adekuat dhe shumë të tjera asnjëherë nuk do t’ishin bërë pa përkrahjen tuaj, pa pjesëmarrjen tuaj.
 
Por, puna jonë e përbashkët nuk ndaloi vetëm në shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit, por vijoi me legalizimin e USHTsë bashkë me rrumbullakësimin e infrastrukturës së tërësishme në arsimin sipëror si dhe hapjen e fakulteteve të reja, konvikteve, ndërtimin e universitetit shtetëror shqiptar në Shkup, themelimin e shumë shkollave, çerdheve, sallave sportive, ndërtimin e zonave të lira ekonomike në Strugë, Kërçovë, Tetovë, Shkup, Likovë, marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE, liberalizim të vizave me vendet e BE, fillim të gasifikimit për Shkup, Tetovë dhe Gostivar, ndërtim të shumë rrugëve dhe autostradës Kërçovë - Strugë, lidhje energjetike me Shqipërinë, kalim të kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë pa pasaporta, demarkim të vijës kufitare me Kosovën, njohjen e pavarësisë së Kosovës, sheshi Skënderbeu, sheshi Iliria, sheshi i flamurit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Josif Bageri, Nexhat Agolli, Pjetër Bogdani në Shkup, shënuam 100 vjetorin e alfabetit, 100 vetorin e lindjes së Nënës Terezë si dhe 100 vjetorin e flamurit kombëtar shqiptar.
 
Ndërtojmë teatrin shqiptar në Shkup, bibliotekën dhe teatrin në Tetovë, themeluam Muzeun e Manastirit dhe Muzeun e Lirisë, ngritëm Qendrën Përkujtimore Nëna Shqiptare, ndërtuam ujësjellës në vendbanime shqiptare, qendrën urgjente në Tetovë dhe qendra spitalore në shumë vende, mundësuam subvencione bujqësore, bursa arsimore dhe proekte të tjera të panumërta në çdo vendbanim.
 
Ishte vota juaj që mundësoi një shqiptar të kryesoj me Kuvendin e shtetit, një shqiptar të drejtoj Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrin e Mbrojtjes dhe shumë poste tjera kyçe në vend.
 
Dhe, të gjitha këto dhe shumë të tjera, nuk mund t’ishin bërë pa kontributin tuaj në çdo proces zgjedhor, me votën e gjithësecilit prej jush të dhënë në vazhdimësi për Bashkimin Demokratik për Integrim.
 
Miq, në këtë rrugë të gjatë e të vështirë, mund të janë bërë edhe lëshime sepse kush punon edhe mund të gabojë ndonjëherë, por qëllimin tonë nuk e kemi tjetërsuar ndonjëherë dhe nijeti jonë ka mbetur i paçtë, prandaj sot po vazhdojmë rrugën në një frymë të re, por gjithëmonë bashkë me ju.
 
Ndër këto vite, bashkë me ju u ballafaquam me zgjedhje parlamentare, lokale, presidenciale dhe referendume. 
 
Çdo ballafaqim, çdo përballje, çdo e arritur, çdo sukses është i përbashkët, dhe pikërisht e sotmja shënon vulën vendimtare që e përcakton BDInë të popullit, BDInë që nuk e dëshpëron popullin dhe BDInë që vepron tërësisht në përputhje me pritjet e popullit.
 
Vitin e kaluar kërkuam mbështetjen e qytetarëve tanë që të bëhemi vendimtar, përcaktues. Kërkuam mbështejen që ta rrumbullakësojmë Marrëveshjen e Ohrit. Kërkuam mbështetje për barazi ekonomike, për fqinjësi të mirë dhe integrim euroatlantik.
 
U bëmë vendimtar dhe nuk ju zhgënjyem!
 
Edhe pas një periudhe shumë të vështire dhe krize serioze që zgjati më shumë se dy vjet, edhe pas një fushate të paskrupulltë që nuk zgjidhte mjete dhe metoda për ta rrënuar BDInë, NE NUK I ZHGËNJYEM SHQIPTARËT sepse nuk i kemi zhgënjyer dhe nuk do ti zhgënjejmë asnjëherë.
 
Ne nuk do ti zhgënjejmë shqiptarët dhe të gjithë qytetarët as edhe në ballafaqimin me përballjet shumë serioze dhe përcaktuese për shqiptarët, për vendin, për rajonin, që i kemi para nesh.
 
Ne nuk i kemi zhgënjyer e as që do ti zhgënjejmë ndonjëherë as partnerët tanë ndërkombëtar me të cilët bashkë hapëruam këtë rrugë në këto 15 vite dhe sukseset i ndajmë bashkë për arsye se kemi edhe qëllim të përbashkët.
 
Në përditshmëri të përplasjeve të mëdha të interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike, të thyerjeve ideologjike, të ndërthyrjeve të civilizimeve, Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i palëkundur në orientimin e vet për një Maqedoni dhe rajon të integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, në miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm me Washingtonin dhe Brukselin.
 
Njëkohësisht, të gjithë ne pranë Bashkimit Demokratik për Integrim jemi më se të përkushtuar për të ndërtuar një shtet të drejtë, një shtet të së drejtës, një shoqëri ku sundon ligji, i barabartë për të gjithë dhe prandaj ekipet tona po i prijnë reformave në vend.
 
Dhe duke qenë vendimtar, por edhe të tërësisht të vetëdishëm për rrethanat e vendit, ne arritëm që sot të jemi në vigjilje të rrumbullakësimit normativ të Marrëveshjes së Ohrit nëpërmjet të barazisë gjuhësore dhe unë ftoj bashkëqytetarët tanë maqedonas që guximshëm të pranojnë dhe përkrahin përfundimin e suksesshëm të këtij dokumenti shëmbullor.
 
Ashtu siç premtuam, duke qenë vendimtar, marrëdhëniet me fqinjtë janë në rrugë të mbarë. Pas mbylljes së çështjes me Sofjen unë inkurajoj partitë tjera në vend që bashkë dhe guximshëm të adresojmë edhe çështjen e hapur me Athinën.
 
Ashtu siç premtuam, bëmë përpjekje që ti bëjmë shqiptarët bashkë, rreth një programi, rreth një deklarate të përbashkët dhe këtë e bëmë.
 
Ashtu siç premtuam, ne po udhëheqim komitetin ekonomik qeveritar në drejtim të barazisë ekonomike.
 
Por, kemi edhe shumë punë para nesh dhe këto punë bëhen nga njerëz të guximshëm, njerëz të sprovuar dhe njerëz që nuk zhgënjejnë.
 
Të nderuar,
 
ju ftoj që të vijojmë me promovimin e vlerave të Bashkimi Demokratik për Integrim, atë të tolerancës, të solidaritetit, të pajtimit, të konsensualitetit, të bashkimit, të përgjegjësisë, të vendimmarjes së guximshme dhe frymës euroamerikane.
 
15 vjet ecëm guximshëm, sypatrembur dhe të palëkundur duke u vënë në ballë të rezistencës për ta vrarë frigën të mbjellur dekada me rradhë, për ti bashkuar shqiptarët përkundër përpjekjeve të njëpasnjëshme për ti përçarë ata, për ti bërë shqiptarët më të rëndësishëm, për ta zhdukur urrejtjen dhe pabarazinë si dhe duke ia vënë pritën vendoshmërisht rrymave tjetërsuese kombëtare!
 
Prandaj të nderuar,
 
Këto dhe shumë të tjera mund ti bëjmë vetëm bashkë, ju me përkrahjen tuaj në vazhdimësi e ne me fjalën e dhënë që do të jemi bashkë përgjithëmonë dhe asnjëherë nuk do t’ju zhgënjejmë.
 
Me këtë rast, unë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për çdo votues, për secilin përkrahës dhe për çdo qytetar që ndër këto vite na ka qëndruar pranë, që ka ecur në këtë rrugë bashkë me ne, që ka investuar besimin e vet në gratë dhe burrat e Bashkimit Demokratik për Integrim për t’i prirë proceseve gjatë gjithë këtyre viteve.
 
Dhe, të dashur vëllezër e motra,
 
rruga jonë sa po ka filluar, rruga jonë s’është e lehtë, t’a vazhdojmë bashkë, të ecim krah për krah, për veten tonë, për familjet tona, për shoqërinë tonë, për komunën tonë, për komunën që duam!


10.Oct.2017