Kryetari Ahmeti në Gostivar: Qytetarët dhe e tërë BDI mbështesin Nevzat Bejtën
Unë nuk them që janë bërë të gjitha, ka edhe shumë punë për të bërë, por njeriu ka përgjegjësi dhe duhet të ketë dinjitet

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i shoqëruar nga Shefi i Shtabit Qendror të Zgjedhjeve, Fatmir Besimi, ka qëndruar pasditën e së mërkurës në komunën e Gostivarit  me ç’rast nga strukturat vendore është njoftuar për mbarëvajtjen e fushatës për zgjedhjet lokale të së dielës. 

Në tubimin e mbajtur në fshatin Sërmnovë kryetari Ahmeti uroi që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme e demokratike: ‘Unë nuk do të doja që kurkush nga ju të hidhërohet pse shahet Ali Ahmeti a Nevzat Bejta! Nuk bëhet nami! Nuk dua hidhërim mes shqiptarëve, nuk dua që familjet të hidhërohen njëra me tjetrën pse njëri është me këtë e tjetri me atë!’- tha lideri i shqiptarëve në Maqedoni i shoqëruar me duartrokitje frenetike të malësorëve  të kësaj ane për të vazhduar se arritjet e 16 viteve të fundit  janë rezultat pikërisht i mundit dhe djersës së Bashkimit Demokratik për Integrim.

‘Në politikë 16 vite i pamposhtur, jo vetëm unë, sepse trimi i mirë është me shumë shokë, dhe unë kam zgjedhur shokët për të bërë luftën politike dhe diplomatike duke fituar 16 vite me radhë!’ – tha z. Ahmeti duke riafirmuar qëndrimin e tij kundër përçarjes dhe ndasisë së shqiptarëve këtu. 

Kjo për shkak se, tha ai, na bën të parëndësishëm nëpër tryezat politike e diplomatike: ‘ Nuk bëhet eksperiment me procese historike, me procese shoqëroro-politike,’-tërhoi vërejtjen kryetari Ahmeti. 

Sa i përket fushatës së deritanishme parazgjedhore dhe shpalosjes së ofertave para qytetarëve, zoti Ahmeti u angazhua që ato të jenë reale dhe të realizueshme. 

Premtimet, vazhdoi ai, duhet të jenë të kapshme, me përgjegjësi e dinjitet e jo në stilin ‘hënën do e zbresë në tokë, dimrin do bëj verë e verën – dimër!’: ‘ Unë nuk them që janë bërë të gjitha, ka edhe shumë punë për të bërë, por njeriu ka përgjegjësi dhe duhet të ketë dinjitet. Kjo është e shkruar dhe z. Bejta përgjigjet për këtë pas katër vitesh. Përgjigjem dhe unë dhe unë qëndroj pas kësaj!’- potencoi  kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ndërkaq, kandidati për kryetar të komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, duke vlerësuar se mandatin e kaluar në qytet e rrethinë janë investuar rreth 40 milion euro, u zotua se projektet e përcaktuara për katër vitet e ardhshme, nën drejtimin e tij, do të realizohen e tejkalohen. 

Duke përmendur shkollën fillore të fshatit Sërmnovë, si premtim të realizuar, ai u zotua se puna e parë që do të bëj menjëherë pas zgjedhjeve ka për të qenë  rregullimi, zgjerimi dhe asfaltimi edhe i rrugëve që lidhin fshatrat e malësisë së kësaj zone, ndërkohë që nuk do të mungojnë as investimet në fusha të tjera për ta çuar përpara këtë komunë, e për ta bërë model të përparimit: ‘ Ne kemi dije, kemi guxim, kemi potencial, që atë që themi edhe ta bëjmë!’- përfundoi z. Bejta i bindur se të dielën në mbrëmje do të jetë Bashkimi Demokratik për Integrim ajo forcë që do t’i gëzohet fitores.


12.Oct.2017