Ali Ahmeti: Nuk bëj marrëveshje të fshehta për vullnetin e popullit tim
Të dielën do të konfirmohet fitorja për shkak se, tha ai, ekziston vullneti dhe besimi i qytetarëve të kësaj ane për të bashkëqeverisur këtë komunë

Ndërsa oponentët po bëjnë përpjekje që në momentet e fundit të lidhin krushqi për të shpëtuar veten, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me bashkëpunëtorë, ka qëndruar në komunën e Dollnenit ku është njohur me angazhimin e të gjitha strukturave partiake që epërsia e raundit të parë të zgjedhjeve lokale të konfirmohet edhe në balotazhin e së dielës.

Me këtë rast, në tubimet e organizuara në  fshatrat Debresh dhe Zhitoshë, kryetari Ahmeti tha se kishte ardhur për të përgëzuar për suksesin e  arritur në këto zgjedhje, por edhe për të përgënjeshtruar dezinformatat dhe shpifjet kinse BDI-ja ka bërë pazare me LSDM-në për t’ia “shitur” kësaj të fundit komunën e Dollnenit: ‘Erdha këtu për t’ju thënë se unë ndaj vëllezërve të mi nuk bëj marrëveshje të fshehta. Unë marrëveshje të fshehta për të vrarë vullnetin e popullit nuk bëj. Unë atentat mbi vullnetin e popullit tim nuk bëj!’- deklaroi lideri i shqiptarëve në Maqedoni duke nënvizuar se BDI-ja dhe ai personalisht qëndrojnë fuqimisht pas kandidatit të partisë në këtë komunë, Xhemil Qamilit. 

Zoti Ahmeti shprehu bindjen se të dielën do të konfirmohet fitorja për shkak se, tha ai, ekziston vullneti dhe besimi i qytetarëve të kësaj ane për të bashkëqeverisur këtë komunë.


25.Oct.2017