Kryetari Ahmeti: Fuqishëm mbështes Teuta Arifin për Tetovën dhe Nevzat Bejtën për Gostivarin
BDI ka punuan që nga fillimi e deri tani për avancim të vlerave kombëtare, për krijimin e kushteve sa më të mira për të gjithë qytetarë

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, edhe të enjten ka vazhduar aktivitetet në mbështetje të kandidatëve të BDI-së për balotazhin e zgjedhjeve lokale të së dielës.

Në tubimin me strukturat partiake në Reçicë të Vogël të Tetovës dhe në Gostivar, z. Ahmeti, i shoqëruar nga Shefi i SHQZ-së, Fatmir Besimi dhe Zëvendëskryeministri Hazbi Lika ka bërë thirrje për dalje masive në zgjedhjet e së dielës me qëllim të fitores sa më bindëse të kryetares Teuta Arifi.

Ndërkaq, kryetari Ahmeti ka komentuar edhe koalicionin prej zori të opozitës, menjëherë pas raundit të pare, duke e cilësuar atë si veprim të gabuar: ‘ Partitë e reja politike, me gjenezë të vjetër, morën anën e gabuar. U rreshtuan keq!’- deklaroi  kryetari Ahmeti duke sjellur në kujtesë akuzat e derivonshme, të ndërsjella, të krerëve të saj, por edhe kundër opozitës maqedonase me të cilën po bashkohen për të shpëtuar veten.

Bashkimi Demokratik për Integrim, tha lideri i shqiptarëve në Maqedoni, ka punuan që nga fillimi e deri tani për avancim të vlerave kombëtare, për krijimin e kushteve sa më të mira për të gjithë qytetarët: ‘Ai që duron dhe nuk ngutet, në fund fiton, sepse populli është ai që gjykon! Na akuzuan për kriminelë, na akuzuan që bashkëpunojmë, që bashkëqeverisim me kriminelë, por çfarë do të thonë nesër kur sot janë koalicion pikërisht me ata me të cilët deri dje ishin kriminelë!’- pyeti kryetari Ahmeti duke  shprehur keqardhjen për pozicionimin e gabuar të  Besës dhe Aleancës. Nga ana jonë, vazhdoi ai, ne me këmbëngulje do vazhdojmë  të jemi dalëzotës dhe zbatues të përcaktimeve e programeve me të cilat kemi dale e po dalim përpara qytetarëve – qoftë për zhvillim e përparim të komunave, qoftë për vënien në jetë të politikave qendrore e shtetformuese.

Si në Tetovë, ashtu dhe në tubimin partiak në Gostivar, në mbështetje të kandidaturës së kryetarit Nevzat Bejta, z. Ahmeti tha se arritjet tona nuk janë individuale, janë kolektive, janë rezultat I bashkëpunimit  në nivel lokal e qendror, duke u drejtuar drejt e me urtësi e largpamësi nga Bashkimi Demokratik për Integrim që për shkak të politikës së vet të mirëstudiuar për këto 15 vite, që nga themelimi, ka triumfuar në të gjitha ciklet zgjedhore, plotë 11 herë!

I sigurt në fitoren e kandidatëve të BDI-së, të dielën, kryetari Ahmeti tha se përfundimi i suksesshëm, i qetë dhe i lirë i procesit zgjedhor të së dielës do të jetë ndihmesë edhe për autoritetet qendrore me qëllim të përshpejtimit të reformave ekonomiko-politike e sociale, veçmas për mbisundimin e shtetit të së drejtës si garanci për përafrimin e vendit me strukturat euro-atlantike.


26.Oct.2017