ALI AHMETI: Koha po dëshmon se BDI-ja është parti e fuqishme
Njerëzit e kanë parë të vërtetën për këtë subjekt dhe BDI-ja është në rrugën e vet dhe nga këto zgjedhje do të dalë edhe më e fortë dhe më e organizuar

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se zgjedhjet lokale në Maqedoni kanë dëshmuar se BDI-ja është subjekti më i besueshëm te shqiptarët.

Ai ka treguar se BDI-ja këtë sukses e ka arritur duke garuar me kandidatë të përgatitur dhe me programe të qarta për çdo komunë shqiptare në Maqedoni. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ahmeti ka thënë se subjektet e tjera politike shqiptare nuk kanë mundur të konkurrojnë me BDI-në as me program dhe as me kandidatë. “Edhe një herë u dëshmua se BDI-ja është partia më e organizuar dhe më etabluar. BDI-ja u dëshmua se është partia më serioze në hapësirat shqiptare në Republikën e Maqedonisë. Po ashtu, u dëshmua se ne kemi kuadrot më të përgatitura. Sigurisht se këtë punë qytetarët shqiptarë e kanë vlerësuar. Të gjithë kandidatët e BDI-së për kryetarë të komunave kanë dalë me programe dhe platforma të shkruara, ku kanë specifikuar se çfarë do të bëjnë brenda këtij mandati për qytetarët”, ka thënë Ahmeti. Ai ka deklaruar se këto zgjedhje nuk kanë qenë të rëndësishme vetëm për pushtetin lokal. “Këto zgjedhje u kanë dhënë energji edhe organeve qendrore politikëbërëse në Republikën e Maqedonisë për të qenë më të guximshme për trajtim dhe zgjidhje të temave të rëndësishme siç i theksova më lart, që janë vazhdim i reformave dhe zgjidhja e kontesteve me vendet fqinje, që ne të vazhdojmë drejt anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe fillimit të negociatave për anëtarësim në BE”, është shprehur Ahmeti.

Lideri i BDI-së ka komentuar edhe pretendimet e disa subjekteve politike për të mos e njohur rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Sipas Ahmetit, këto deklarata janë të ngutshme e të dhëna në situata dëshpëruese. Ahmeti edhe një herë e ka ftuar gjithë lidershipin e shqiptarëve të Maqedonisë të bashkohen në dy taborë politike e jo të ndahen në shumë subjekte politike. “Në vazhdimësi kam theksuar dhe nuk heq dorë nga parimi im, se shqiptarëve të Maqedonisë nuk u duhen më shumë se dy parti politike. Ekzistenca e shumë partive po dëmton shqiptarët në Maqedoni, ngaqë ne nuk jemi shumë për t’u ndarë”, ka thënë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
“Epoka e re”: Z. Ahmeti, në Maqedoni ka përfunduar raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Cili është vlerësimi juaj për këtë proces?

Ahmeti: Këtë proces zgjedhor do ta vlerësoja të suksesshëm, në të cilin gjithçka ka shkuar në kuadër të normalitetit. Nuk ka pasur probleme, nuk ka pasur ndonjë çrregullim. Si i tillë, duhet të përshëndet nga të gjithë. Rezultati i zgjedhjeve duhet të pranohet nga i gjithë spektri politik, sepse zgjedhjet ishin korrekte dhe demokratike.
 
“Epoka e re”: Megjithatë, ky rezultat nuk është pranuar nga VMRO-ja dhe disa subjekte politike shqiptare?

Ahmeti: Mendoj se ky është një vendim i ngutshëm politik i dhënë në një situatë dëshpëruese, sepse opozita ka pësuar një humbje të thellë. Kështu që, tani në dëshpërim e sipër japin edhe deklarata të tilla të ngutshme. Mendoj se vendit i duhet stabilitet, që institucionet me përkushtim të punojnë në drejtim të realizimit të platformës qeveritare dhe të reformave të shumta të pritura nga komuniteti ndërkombëtar, në veçanti nga Brukseli, sidomos për reformat në gjyqësi dhe ato sistemore. Pra, ne duhet t’i vazhdojmë reformat në këtë drejtim që sa më parë të funksionalizohet shteti juridik. Ne kemi nevojë të sundojë ligji dhe askush të mos jetë mbi ligjin. Gjithashtu, kemi edhe disa çështje madhore për t’u zgjidhur me fqinjët, siç është rasti me çështjen e emrit që na paraqitet si pengesë për anëtarësimin e vendit në NATO dhe për anëtarësim në BE. Në këtë mënyrë të gjithë duhet të veprojmë guximshëm dhe të punojmë që sa më parë këto çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me ardhmërinë e Maqedonisë t’i shtyjmë drejt zgjidhjes.
 
“Epoka e re”: Në këto zgjedhje në taborin shqiptar BDI-ja ka dalë fituese, duke i fituar dhjetë komuna. Çfarë ka ndikuar në këtë fitore?

Ahmeti: Edhe një herë u dëshmua se BDI-ja është partia më e organizuar dhe më e etabluar. Pra, BDI-ja u dëshmua se është partia më serioze në hapësirat shqiptare në Republikën e Maqedonisë. Po ashtu, u dëshmua se ne kemi kuadrot më të përgatitura. Sigurisht se këtë punë qytetarët shqiptarë e kanë vlerësuar. Të gjitha kandidatët e BDI-së për kryetarë të komunave kanë dalë me programe dhe platforma të shkruara, ku kanë specifikuar se çfarë do të bëjnë brenda këtij mandati për qytetarët. Ndërsa partitë e vogla kanë dalë me disa letra të shkruara dhe pa ndonjë program të kompletuar premtues. Kështu që, ky ka qenë një vlerësim që qytetarët shqiptarë i kanë bërë BDI-së. Jam mirënjohës për përkrahjen që na kanë dhënë dhe i falënderoj të gjithë. Besoj se edhe një herë qytetarët e kanë kuptuar se BDI-ja brenda dy vjetëve e gjysmë ka qenë shënjestër e sulmeve dhe lajmeve të rrejshme. Pra, ndaj BDI-së është zhvilluar një luftë e paskrupullt e partive politike shqiptare për përfitime të politikave të tyre ditore. Tani koha e dëshmoj të kundërtën. Njerëzit e kanë parë të vërtetën për këtë subjekt dhe BDI-ja është në rrugën e vet dhe nga këto zgjedhje do të dalë edhe më e fortë dhe më e organizuar. Këto zgjedhje nuk kanë qenë të rëndësishme vetëm për pushtetin lokal. Këto zgjedhje u kanë dhënë energji edhe organeve qendrore politikëbërëse në Republikën e Maqedonisë për të qenë më të guximshme për trajtim dhe zgjidhje të temave të rëndësishme siç i theksova më lart, që janë vazhdimi i reformave dhe zgjidhja e kontesteve me vendet fqinje, që ne të vazhdojmë drejt anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.
 
“Epoka e re”: Në aspektin lokal çfarë do të përfitojnë shqiptarët nga kjo fitore e BDI-së?

Ahmeti: Sigurisht se kjo është një temë për të cilën duhet folur me orë të tëra. Kandidatët e BDI-së për kryetarë të komunave kanë programet e tyre se çfarë duhet të bëjnë brenda katër vjetëve për përmirësim të jetës së qytetarëve në lokalitetet e tyre, për përmirësim të infrastrukturës, të rritjes së cilësisë në arsim, si dhe të menaxhimit të resurseve që kanë lokalitetet e tyre. Pra, për këtë çështje, llogaridhënie do të japin kryetarët e komunave që janë zgjedhur tashmë.
 
“Epoka e re”: Nga subjektet shqiptare jeni kritikuar se keni bashkëpunuar me LSDM-në për t’i mposhtur kundërkandidatët shqiptarë të BDI-së. Ky bashkëpunim, sipas rivalëve tuaj politikë, ka sjellë edhe fitoren e BDI-së në Strugë?

Ahmeti: Edhe kjo ka të bëjë me deklarata dëshpëruese. Ju kisha lutur ta hapni faqen zyrtare të KShZ-së dhe ta shikoni rezultatin e raundit të parë, ku vota është partiake dhe etnike. BDI-ja ka mundur të dy partitë që ishin në koalicion. Në të gjitha vendbanimet BDI-ja ka dalë fituese edhe në garën për kryetar, edhe në atë për asamblistë. Pra, kjo nuk është diçka që unë e them për ta inkurajuar anëtarësinë e BDI-së apo për të krijuar inskenim, por është një e vërtetë që nuk mund të mohohet, sepse janë të dhënat nga KShZ-ja. BDI-ja i ka mundur të dyja partitë e tjera shqiptare në raundin e parë, ndërsa në balotazh ka dëshmuar rezultatin që ka arritur në raundin e parë. Ne kemi pritur edhe më mirë të dalim, por kjo është demokracia. Këtë rezultat e pranojmë. Unë i jam drejtuar gjithë opinionit duke thënë se edhe kryetarët e partive të tjera që kanë fituar disa komuna do të trajtohen si të barabartë nga qeveria qendrore, sepse edhe ata do të qeverisin me qytetarët tanë shqiptarë.
 
“Epoka e re”: Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar keni thënë se ndarja e votës së shqiptarëve në disa parti po dëmton interesin e përgjithshëm të shqiptarëve. Në zgjedhjet lokale kjo ndarje a ka pasur ndonjë efekt?

Ahmeti: Në vazhdimësi kam theksuar dhe nuk heq dorë nga parimi im, se shqiptarëve të Maqedonisë nuk u duhen më shumë se dy parti politike. Ekzistenca e shumë partive po dëmton shqiptarët në Maqedoni. Nuk jemi shumë për t’u ndarë. Besoj se në Maqedoni nuk ka hapësirë për pesë apo gjashtë parti shqiptare, të cilat konkurruan në këto zgjedhje lokale, por edhe në zgjedhjet nacionale. Shqiptarët të ndarë nëpër disa parti politike i kanë humbur tetë mandate në Kuvendin e Maqedonisë, pra nga 28 mandate që kishim në legjislaturën paraprake, në mandatin aktual të gjithë shqiptarët kanë 20 përfaqësues në parlamentin e Maqedonisë. Do të doja të reflektonin të gjithë që të mos u rritet oreksi për krijimin e partive të reja edhe në të ardhmen, por që të shikohet mundësia që këto partitë e vogla të bëhen bashkë dhe të krijojnë një opozitë serioze për t’u përballur me BDI-në. Nuk e kam hallin e fitoreve të BDI-së, sepse këtë tashmë e keni dëshmuar se sa mirë jemi të organizuar. Ndërsa në zgjedhjet lokale nuk është dëmi aq i madh si në zgjedhjet parlamentare.


01.Nov.2017