BDI mbështet iniciativën për projektin „Zhan Mone“

Koordinatori i grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, z. Ejup Alimi, sot kishte takim me z.  Ivo Vajgl, deputet në Parlamentin Evropian dhe referues për Republikën e Maqedonisë në Parlamentin Evropian. 
Gjatë takimit u diskutua për gjendjen politike, për rrjedhën e zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën në vend, rrugën drejt reformave sistemore, raportet e mira fqinjësore si dhe anëtarësimi i vendit në strukturat Euro - Atlantike. 

Alimi, shprehu kënaqësinë e tij të madhe për rezultatet e zgjedhjeve lokale që paraqet konfirmim për përcaktimet programore të koalicionit qeveritar për reformat e thella, integrimin euro - atlantik dhe barazinë në shoqëri. 

 Alimi, tha se pas përfundimit të zgjedhjeve lokale Parlamenti, i kthehet Agjendës reformatore dhe në mënyrë më aktive do ti përkushtohet masave dhe aktiviteteve që janë në drejtim të largimit të të gjitha vërejtjeve dhe pengesave për proceset euro - atlantike të Republikës së Maqedonisë. 

Vajgl, shprehu gatishmërinë për thellimin e mbështetjes së dialogut politik në vend dhe ndërtimin e konsensusit në drejtim të implementimit të Marrëveshjes së Përzhinos dhe reformat urgjente me prioritet për Republikën e Maqedonisë. Kjo mbështetje vjen drejtpërdrejtë nga Kryetari i Parlamentit Evropian, z. Tajani dhe Komisari Han. 

Në këtë drejtim, Vajgl informoi për vendosjen e një formati të ri të dialogut politik të a.q. Zhan - Mone ku do të marrin pjesë përfaqësues të të gjitha partive politike me qëllim intensifikimin e proceseve reformuese në vend dhe afrimin e Republikës së Maqedonisë drejt BE dhe NATO-s.

Z. Alimi shprehu mbështetje për këtë iniciativë dhe konfirmoi se BDI do të ketë pjesëmarrje aktive në Zhan - Mone dialogun, do ti vendosë interesat shtetërore para interesave partiake, gjë të cilën në fakt edhe e ka konfirmuar në të kaluarën.


10.Nov.2017