Xhaferi – Korçok: Maqedonisë i duhet integrim i shpejtë në NATO dhe BE

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Sekretarin shtetëror për punë të jashtme dhe evropiane të Republikës së Sllovakisë, z. Ivan Korçok.

Në fillim të takimit, kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi të veçantë për mundësinë për realizimin e takimit me një përfaqësues të vendit me të cilin Republika e Maqedonisë ka marrëdhënie bilaterale të shkëlqyera dhe shumëvjeçare, në më shumë nivele. Në nivelin parlamentar, Parlamenti i Republikës së Sllovakisë e ndau përvojën gjatë formimit të Institutit Parlamentar në Kuvendin e Maqedonisë.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit këmbyen mendime për integrimet euroatlantike të Republikës së Maqedonisë, me ç'rast kryetari i Kuvendit e informoi mysafirin për qasjen e ndryshme, pozitive ndaj kësaj çështjeje, veçanërisht nëpërmjet përmirësimit të marrëdhënieve me fqinjët dhe fillimin e reformave që janë të domosdoshme për afrimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe më në fund, anëtarësimin e plotfuqishëm në aleancën euroatlantike.

Sekretari shtetëror për punë të jashtme dhe evropiane të Sllovakisë, z. Ivan Korçok, i theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe trendët pozitivë të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet investimeve sllovake në Republikën e Maqedonisë. Gjithashtu, Republika e Sllovakisë do e përforcojë përkrahjen për Republikën e Maqedonisë në rrugën kah Bashkimi Evropian dhe NATO edhe si iniciator i projektit "Konventi nacional për BE në Republikën e Maqedonisë", që do të ndihmojë në përmbushjen e kritereve në përputhje me rekomandimet e Pribes dhe planit për reforma të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi, e shprehu gatishmërinë e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për të kontribuuar në realizimin e këtij projekti, për arsye se qëllimet e tij janë në përputhje me përcaktimin për parlament të hapur për qytetarët dhe për shoqërinë civile.


10.Nov.2017