Bekteshi – Poçivalshek: Projekte të përbashkëta për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, në kuadër të vizitës zyrtare të delegacionit qeveritar të Republikës së Maqedonisë në Slloveni, të kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev, në Ljublanë u takua me Ministrin e Ekonomisë dhe teknologjisë të Republikës së Sllovenisë, Zdravko Poçivalschek. 

Në takim u theksua se të dyja vendet kanë një bashkëpunim të ekonomik të vazhdueshëm, kështu që Sllovenia rregullisht është në listën e investitorëve të rëndësishëm në Republikën e Maqedonisë, ndërsa në tregtinë e jashtme, Sllovenia është vendi i 12-të me të cilin Republika e Maqedonisë realizon vëllimin më të madh, me çrast shënohet rritje e dukshme e tregtisë dypalëshe në tetë muajt e vitit 2017, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. 

Ministri Bekteshi i propozoi homologut të tij slloven që në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm të mbahet takimi i 11-të i Komisionit të Përbashkët mbi Marrëveshjen e Bashkëpunimit Ekonomik ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Sllovenisë, pasi që mbajtja e rregullt e seancave të Komisionit të Përbashkët mundëson përzgjedhjen e projekteve të përbashkëta që synojnë përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe mundësinë për investime të reja në Republikën e Maqedonisë. 

Në periudhën e ardhshme, pala sllovene pritet të marrë parasysh nismën e Maqedonisë për nënshkrimin e një Marrëveshjeje për Bashkëpunim në fushën e turizmit, e cila do të hapë mundësi të reja për zhvillim në këtë sektor të rëndësishëm ekonomik.

Ministrat Bekteshi dhe Poçivalshek ranë dakord se të gjitha këto nisma të përbashkëta flasin për një bazë të shkëlqyeshme për bashkëpunim të mëtejshëm të frytshëm ekonomik midis dy vendeve, të cilat pritet të thellohen dhe të forcohen me projekte të reja të përbashkëta.


14.Nov.2017