Kryetari Ahmeti takon Komisarin Han: Reformat duhet të realizohen
Mbetet që koha të dëshmojë për premtimet që ne i bëmë dhe mbetem optimist që në kohë të duhur do të arrijmë t’i zbatojmë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot në Shkup realizoi takim me eurokomisarin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johanes Han.

Kryetari Ahmeti, pas takimit me eurokomisarin Han deklaroi se ai ishte shumë konkret lidhur me agjendën e vendit tonë në drejtim të zbatimit të reformave si në gjyqësi ashtu edhe në sferat e tjera.

“Han ishte mjaft i interesuar edhe për proceset euroatlantike me ç’rast e sigurova zotin Han se ne me përkushtim punojmë që të arrijmë rezultate në fushën e reformave të drejtësisë, ato më të kërkuarat. Mbetet që koha të dëshmojë për premtimet që ne i bëmë dhe mbetem optimist që në kohë të duhur do të arrijmë t’i zbatojmë të gjitha kërkesat që na afrojnë sa më afër hapjes së negociatave me BE-në. Folëm edhe për koalicionin qeveritar dhe mbetet që ne të ofrojmë stabilitet dhe bashkëpunim jo vetëm mes pozitës por edhe opozitës për këtë proces të rëndësishëm” tha Ahmeti.


21.Nov.2017