Xhaferi në Uashington në takime me kongresmenët amerikanë Pitinxher, Aderholld dhe Trot

​Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, realizoi takime individuale me kongresmenët Robert Pitinxher, Robert Aderholld dhe Dejv Trot.

​Kongresmeni Robert Pitinxher, i cili njëkohësisht është edhe mikpritës i Forumit Parlamentar të sigurisë, në fillim të takimit theksoi se është i nderuar që kryetari Xhaferi e pranoi ftesën për pjesëmarrje në këtë tubim të rëndësishëm i cili është vazhdim i forumit prej në qershor të vitit 2017 në Riga. Në këtë kontekst, ndër të tjerat, kryetari Xhaferi e informoi kongresmenin Pitinxher për ndryshimet ligjore me të cilat sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve tanë në formacione ushtarake të huaja. 

Bashkëbiseduesit konstatuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika e Maqedonisë gjenden në anën e njëjtë në luftën kundër terrorizmit në botë. Sundimi i të drejtës, liria e të folurit dhe pavarësia e institucioneve janë fondamenti kryesor për ndërtimin e shoqërisë demokratike të shëndoshë të integruar në NATO dhe BE.

​Gjatë takimit, kongresmeni Aderholld, i cili është edhe anëtar i grupit të miqve të Maqedonisë nga kongresi amerikan, u interesua për diskursin e përgjithshëm politik pas transferimit të pushtetit. Kryetari Xhaferi ia prezantoi në hollësi situatën e përgjithshme dhe prioritetet e Republikës së Maqedonisë në raport me përmbushjen e proceseve të domosdoshme reformuese. Me këtë rast, kryetari i Kuvendit potencoi se vlerat euroatlantike duhet patjetër të ndërthuren në indin e jetës shoqërore në Republikën e Maqedonisë, për arsye se kjo është për të mirën dhe mirëqenien e qytetarëve.

​Takimi i tretë në Kongres ishte me bashkëkryesuesin e grupit të miqve të Maqedonisë nga kongresi amerikan, z. Dejv Trot, i cili para do kohe e vizitoi Republikën e Maqedonisë në suazat e turnit të tij evropian. Në drejtim të anëtarësimit të plotfuqishëm të Maqedonisë në NATO, kongresmeni Trot theksoi se grupi i miqve të Maqedonisë nga kongresi, do të vazhdojë të japë mbështetje me të gjitha mjetet dhe mënyrat që i ka në dispozicion.

​Të gjithë bashkëbiseduesit u pajtuan se këto takime të sinqerta dhe miqësore kontribuojnë për përforcimin e bashkëpunimit të Republikës së Maqedonisë me SHBA-të në nivel parlamentar.


07.Dec.2017