Grubi: Zero probleme me fqinjtë

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Deputeti Artan Grubi, sot në mbledhjen e Komisionit për Politikë të Jashtme shprehu përkrahje të plotë për ratifikimin e Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Bulgarinë.

Në vijim ua përcjellim fjalën e z. Grubi të mbajtur sot në Kuvend: 

Shumica parlamentare dhe Qeveria reformatore është e përkushtuar për barazi etnike, ekonomike, qytetare, marrëdhënie të mira midis komuniteve, e në veçanti dy komunitetet shumicë, shqiptarëve dhe maqedonasve, fqinjësi të mirë dhe zbatim i politikës zero probleme me fqinjtë, integrim pa asnjë alternativë tjetër të vetme në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Nga realizimi i këtyre politikave me përkushtim, vendi jonë vetëm bëhet më i fortë, më i fuqishëm, më stabil, më i sigurt, më koheziv dhe me më shumë miq.

Me mbylljen e çështjeve të hapura, karakteri unitar i shtetit, tërësia teritoriale, rregullimi kushtetues i Maqedonisë, sovraniteti i plotë, siguria dhe stabiliteti i Maqedonisë bëhen të pacënueshme dhe për këtë, garancë janë maqedonasit, shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi, por edhe miqtë tanë në Sofje, Athinë, Prishtinë, Beograd, Tiranë, Uashington dhe Bruksel.

Prandaj, të gjithë ne në BDI japim mbështetje të plotë për mbylljen e çështjeve të hapura dhe inkurajojmë adresim me guxim të njëjtë dhe përkushtim në drejtim të zgjidhjes edhe të çështjes së emrit sepse viti 2018 patjetër duhet ti takojë Maqedonisë dhe aspiratave tona euroatlantike.


26.Dec.2017