Delegacion i lartë i BE-së realizon takim me zëvendëskryeministrin z. Hazbi Lika

Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistem politik, z. Hazbi Lika, sot në orët e pasditës priti në takim pune Delegacionin e lartë të Bashkimit Evropian të kryesuar nga z. Jean Christophe Belliard, drejtor politik për politikën e jashtme të BE-së, znj. Angelina Eichhrost, drejtoreshë për shërbim të Evropës Perëndimore, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, znj. Genoveva Ruiz Calavera, drejtoreshë në shërbim të zgjerimit të Komisionit Evropian si dhe z. Samuel Zbogar, Shef i Delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë. 

Në këtë takim, Delegacioni i BE-së i kryesuar nga z. Belliard uroi zëvendëskryeministrin Lika për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke theksuar se kjo arritje është një hap i madh drejt konsolidimit të shtetit në rrugën drejt integrimit dhe ndërtimit të një shoqërie multietnike. 

Paralelisht, z. Belliard përshëndeti z. Lika për ecurinë pozitive në aspektin e përmirësimit të raporteve me shtetet fqinje, si një indikacion përkushtimi dhe progresi i kësaj strukture të re qeveritare. Mes diskutimesh u theksua edhe rëndësia e zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, me realizimin e së cilës do të përfitohet një mbështetje maksimale nga Bashkimi Evropian për integrimin e mëtejshëm të Republikës së Maqedonisë në rrugën euroatlantike.  Mes të tjerash z. Belliard shprehu nevojën për bashkëpunim mes subjekteve politike qeveritare dhe opozitare për funksionimin dhe mbarëvajten e këtij shteti.  

Në vazhdimësi, bashkëbiseduesit diskutuan rreth vlerave kulturore dhe fetare të bashkësive etnike që jetojnë në shtet, duke potencuar dhe përshëndetur vlerat autentike Islame që Maqedonia dhe shtetet e rajonit përmbajnë në vete.  Porosia e z. Belliard në këtë aspekt ishte që qytetarët të vazhdojnë të kultivojnë këto vlera tradicionale, të cilat shërbejnë si një shembull dhe influencë pozitive për shtetet tjera evropiane. 


11.Jan.2018