Kryetari Ahmeti takon shefin e NATOsë Stoltenberg: Liria jonë nuk është e plotë pa NATO
Liria jonë nuk është e plotë pa NATOnë. Unë ju përcjell amanet gjeneratave të ardhshme që të janë faleminderuese dhe vlerësuese ndaj NATOsë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka takuar sot në Shkup Sekretarin e Përgjithshëm të NATOsë, z. Jens Stoltenberg dhe bashkëpunëtoret e tij nga aleanca veriatlantike.

Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg tha që roli personal i z. Ahmeti dhe i BDIsë është shumë i rëndësishëm dhe e faleminderoi z. Ahmeti për kontributin në të gjitha proceset në vend. 

Z. Stoltenberg theksoi që dera e NATOsë mbetet e hapur dhe na inkurajoi që të adresojmë reformat dhe çështjen e emrit.

Z. Ahmeti tha që NATO ka patur rol vendimtar në vend e rajon dhe ka shpëtuar Maqedoninë nga gremina duke kontribuar në paqën, sigurinë dhe stabilitetin, por edhe reformat dhe institucionet demokratike. 

"Liria jonë nuk është e plotë pa NATOnë. Unë ju përcjell amanet gjeneratave të ardhshme që të janë faleminderuese dhe vlerësuese ndaj NATOsë." tha Ahmeti.

Ahmeti tha që BDI do të mbetet partner kredibil i NATOsë, SHBAve, BEsë dhe tha që përpjekjet tona për rreshtim në aleancën veriatlantike nuk do të ndalen sepse ky është vullneti jonë kombëtar, strategjik, ideologjik. 

Ahmeti dhe Stoltenberg diskutuan edhe për gjeopolitika, rolin rus në Ballkanin perendimor, reformat dhe Marrëveshjen Paqësore të Ohrit. 


18.Jan.2018