Kryetari Ahmeti takon ndërmjetësin për emrin, Nimic
Do jemi në vazhdimësi në mbështetje të këtij procesi dhe në pritje të një zgjidhje sa më të shpejtë, një kompromis të pranueshëm për të dyja palët

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në hapësirat e Kuvendit të Maqedonisë priti në një takim ndërmjetësuesin e OKB-së për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic.

Kreu i BDI-së takimin e vlerësoi me një rëndësi të madhe dhe në një situatë vendimtare në proceset paqësore jo vetëm në Maqedoni, por në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

"Do të doja ta vlerësojë një takim shumë të rëndësishëm, në situatë shumë të rëndësishme dhe vendimtare për proceset paqësore jo vetëm për Republikën e Maqedonisë por për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Inkurajova zotin Nimic në misionin e tij paqësor që ka të bëj me të ardhmen e vendit tonë, gjithashtu shfaqa disa nga medimet, opinionet vendore si dhe atë të shqiptarëve me çka do e mbështesim z.Nimic në këtë mision të rëndësishëm dhe shpresojmë që, në një afat sa më të shkurtër këtë çështje, të marr epilogë sepse ka të bëj shumë me ardhmërinë tonë, ka të bëj shumë me paqen, stabilitetin, sigurinë, kshtuqë do jemi në vazhdimësi në mbështetje të këtij procesi dhe në pritje të një zgjidhje sa më të shpejtë, një kompromis të pranueshëm për të dyja palët, edhe për palën tonë edhe për palën greke", tha Ahmeti.


01.Feb.2018