Grubi e filloi vizitën në SHBA me kongresmenët Prajs dhe Viskloski

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Artan Grubi, e filloi vizitën e tij në SHBA me takim në Uashington me kongresmenët, Dejvid Prajs dhe Pit Viskloski.

Kongresmeni Prajs është bashkëkryesues i Partneritetit për Demokraci të Kongresit Amerikan ku ndërtohen qëndrime mbipartiake dhe politike ndërmjet republikanëve dhe demokratëve.

Grubi foli për nevojën për shfrytëzimin e përvojës së Partneritetit për Demokraci të Kongresit Amerikan për ndërtimin e qëndrimeve mbipartiake në Kuvendin tonë, rreth integrimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe reformat sistemore.

Grubi, gjithashtu, e informoi bashkëfolësin për rrjedhën e reformave në vend, si dhe për negociatat për kontestin me emrin me fqinjin tonë jugor, me ç’rast e kërkoi mbështetjen e SHBA-së për arritjen e zgjidhjes së pranueshme reciprokisht.

Në takimin me Kongresmenin Viskloski u fol për sfidat e Evropës Juglindore në rrugën drejt komunitetit Euro atlantik, NATO perspektivat e Maqedonisë dhe mbështetjen e SHBA-së për Maqedoninë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Grubi hapur dhe drejtpërdrejtë kërkoi ndihmë nga autoritetet e SHBA-së për de bllokimin e të gjitha pengesave që qëndrojnë në rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe kontributi i drejtpërdrejtë i SHBA-së është i nevojshëm në këtë proces.

Në takimet me dy Kongresmenët, u konfirmua mbështetja e SHBA-së për Maqedoninë dhe nevojën për angazhim më të madh të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor dhe u angazhuan për hapa konkret në Uashington në drejtim të integrimit Euro – atlantik në vendin tonë.

Paraprakisht, në Dhomën e Grupit të Miqve të Kenedisë, në Senat, Grubi mori pjesë në forumin e rregullt për gjeopolitikë të Ballkanit ku morën pjesë senatori Xhejms Inhof, dhe kongresmenët Robert Aderholt, Robert Pitenger, si dhe shumë mysafirë të lartë.

Grubi, gjithashtu, u takua edhe me Jan Suroqak, drejtor i IRI-t për Evropë dhe Poll Mekarti, zëvendësdrejtor, prej të cilëve kërkoi t’i intensifikojnë programet e tyre në Maqedoni, posaçërisht në drejtim të ndërtimit të konsensusit reformues, si dhe ngritjes së kapacitetit demokratik në institucionet dhe besimin e tyre te qytetarët.


06.Feb.2018