Në fillim të fjalimit, Osmani shprehu mirënjohje për marrjen e Kryesimit të Shqipërisë me Këshillin e Sigurimit në muajin shtator, duke theksuar se prania e kombinuar e Maqedonisë së Veriut dhe e Shqipërisë në OKB është shenjë e fuqishme e përkushtimit dhe përgjegjësisë nga dy shtete ballkanike, mike dhe fqinje, të cilat qëndrojnë në krye të të dy platformave kryesore multilaterale.
Duke folur për sfidat aktuale të sigurisë, Osmani sërish iu referua luftës agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, duke theksuar se kërkimi i përbashkët i paqes varet nga angazhimi ynë kolektiv.
“Lufta paraqet shkeljen dhe sfidën më të madhe të rregullave dhe detyrimeve ndërkombëtare të cilat ishin të shkruara dhe të nënshkruara nga e njëjta Rusi që tani me përbuzje po i shkel. Ajo i shkatërron jo vetëm jetët dhe mjetet e jetesës në Ukrainë, shtëpitë dhe shpresat e njerëzve, madje përtej kësaj, ajo ndikon në jetët e njerëzve edhe përtej Rusisë”, tha Osmani.
Ai gjithashtu theksoi se në kuadër të OSBE-së, një organizatë rajonale, me të cilën kryeson në këtë moment vendimtar të historisë së saj, ndihet ndikimi i luftës para se gjithash te njerëzit, por edhe në politikën ndërmjet rajoneve dhe në institucionet që u krijuan si platformë për dialog dhe ruajtjen e paqes.
“Ekziston edhe kërcënim që vetë multilateralizmi të bëhet viktimë e këtij agresioni, që forumet ndërkombëtare si ky të zëvendësohen me fushëbetejë, ndërsa argumentet me forcë brutale, pa asnjë dobi për askënd. Pra, më shpjegoni: kush përfiton nga kjo luftë?”, pyeti Osmani gjatë fjalimit të tij.
Si kryesues i OSBE-së, ai gjithashtu theksoi se organizata vazhdimisht e ofron mbështetjen e saj përmes Programit për Mbështetje në fusha të ndryshme që tashmë është në terren dhe që përfshin deminimin humanitar, promovimin e sundimit të ligjit dhe zbutjen e ndikimeve të mëvonshme ekologjike dhe ekonomike.
Ai njoftoi edhe se planifikon vizitë të dytë në Ukrainë si kryesues i OSBE-së, pas vizitës së pare që e realizoi në janar, me qëllim që drejtpërdrejt t’i dëgjojë nevojat, shpresat dhe frikën e njerëzve në terren dhe duke mbështetur moton e Kryesimit “Fjala është për njerëzit”.
Fjalimin e tij para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Osmani e përfundoi me mesazhe të rëndësishme për multilateralizmin, duke e quajtur atë “proces i cili kërkon dhe meriton angazhim dhe ruajtje të përditshme”.
“Askush, as në kohën tonë dhe as para nesh, ende nuk ka dalë me ndonjë ide apo praktikë më të mirë se multilateralizmi. Në fund, njerëzit i bëjnë luftërat dhe njerëzit i përfundojnë. E njerëzit i kthehen tryezës diplomatike, dialogut, platformave dhe koncepteve gjithëpërfshirëse të sigurisë, siç ofrojnë OSBE-ja dhe OKB-ja”, tha Osmani.
Duke u ndërlidhur në themelet e organizatave tona, siç tha Osmani, dhe duke punuar së bashku, pa kompromis në parimet e dakorduara, “duhet të bëjmë gjithçka për të vazhduar përpjekjet tona të përbashkëta për paqe, stabilitet dhe siguri”.