Xhaferi për Ditën e mësuesit nga USHT-ja: Puna e mësimdhënësve është një kontribut i çmuar në ndërtimin e shoqërive të shëndosha, një shteti përparimtar dhe të zhvilluar

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot mori pjesë dhe u drejtua me fjalim në Akademinë solemne me rastin e shënimit të  “Ditës së mësuesit” në Universitetin e Tetovës.

Në kuadër të Akademisë solemne, Kryeministrit Xhaferi nga ana e kryetarit të Senatit, profesor dr. Vulnet Ameti dhe me rastin e Ditës së mësuesit, i është ndarë Çmimi kombëtar “Fadil Suleimani”.

Në vazhdim e përcjellim fjalimin integral të Kryeministrit Xhaferi: 

„Të nderuara familje të dëshmorëve,

Të nderuar profesorë,

I nderuar kryetar i Senatit,

Të nderuar deputetë, ministra,

I dashur komandant Ali,

I nderuar gjeneral,

I nderuar Reis,

Të nderuar qytetarë,

Kam nderin t’ju përshëndes të gjithë të pranishmit në këtë Akademi solemne në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe në emrin tim personal.

Është kënaqësi e vërtetë që në këtë ditë kaq të madhe dhe të rëndësishme për gjithë mësuesit, të mund të drejtohem këtu, në këtë tempull të diturisë, para një auditori kaq të veçantë në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Mësuesit janë feneri i dritës që rrezaton me dituri të reja të pakufishme për botën, për atë si ka qenë, si është dhe si duam ta ndërtojmë në të ardhme. Me një fjalë, i pajisin me dituri dhe i përgatisin për jetë brezat e ri që janë pasuria më e shtrenjtë që kemi.

Gjuha jonë shqipe është e bukur dhe e pasur, por përsëri, fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur falënderimin tonë të madh për misionin fisnik që e kryejnë. Sot është Dita e mësuesit, dhe dita kur është hapur mësonjëtorja e parë në gjuhën shqipe në Korçë dhe të gjithë ne shprehim nderimet tona për punën dhe kontributin e shtrenjtë që e japin për ardhmërinë e kombit.

Unë, sot ditën e fillova në Shkollën Fillore Forina, në Forinën time të dashur, sepse, nuk ka ndjenjë më të bukur se sa të shpreh mirënjohjen e parë të kësaj dite pikërisht aty ku e kam filluar edhe vetë rrugëtimin tim personal të ndërtimit intelektual, aty ku u vunë themelet e sigurta të vetëbesimit tim, kuptimit të vlerave të drejta dhe synimit për të arritur sukseset që e përfaqësojnë realizimin e vizioneve që dikur mund të jenë dukur të pabesueshme.

Por, ja që sot, shumë vizione janë shndërruar, dhe besoj se do të vazhdojnë të shndërrohen në realitetin që e jetojmë ne, dhe do vazhdojnë ta jetojnë dhe përsosin brezat e rinj që e vijojnë rrugëtimin e tyre intelektual dhe profesional pikërisht në bankat studentore të këtij universiteti dhe institucioneve tjera të arsimit sipëror anembanë vendit, rajonit dhe botës. Për të na bërë krenarë ne, dhe për të nderuar veten dhe shoqërinë.

Me këtë rast,

I dashur kryetar i Senatit, prof. dr. Vullnet Ameti,

Të nderuar anëtarë të Senatit të Universitetit Shtetëror të Tetovës,

Më lejoni të shpreh falënderimet e mia të sinqerta për vendimin që e keni marrë për të më nderuar mua me Çmimin Kombëtar „Fadil Sulejmani”, për postin e Kryeministrit të parë shqiptar që më është besuar dhe unë, krahas falënderimit dua t’ju siguroj edhe në një gjë. 

Unë do të vazhdoj të punoj ashtu siç edhe kam punuar dhe kryer çdo detyrë që më është besuar deri tani: me profesionalizëm të lartë, me përkushtim pa rezervë dhe gjithnjë duke u bazuar dhe mbështetur në Kushtetutën, ligjet dhe të drejtat dhe obligimet e pranuara universale për çdo një qenie njerëzore.

Jam këtu për çdo një individ të cilësdo përkatësie etnike, fetare, kulturore, sociale, gjinore dhe të margjinalizuar, sepse, besoj fortë se të gjithë duhet të gëzojmë po të njëjtat të drejta, por dhe obligime, të gjithë duhet të kontribuojmë maksimalisht në çdo sferë ku punojmë, për të mirën e të gjithëve, për të mirën e shtetit dhe për barazinë e plotë të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në fund, dua të përgëzoj edhe njëherë drejtuesit e Universitetit Shtetëror të Tetovës, i cili në 29 vitet e fundit ka dëshmuar se di të krijojë kuadro profesionale dhe të arsimuara, të vendosura lartë në të gjitha segmentet e shoqërisë dhe kjo më rrit akoma më shumë besimin në vendimin e drejtë që e morëm në 2004-tën e largët si Grup parlamentar i Bashkimit Demokratik për Integrim. 

Atëherë si politik bërës, kishim fuqinë, por edhe vullnetin për të votuar Ligjin për aktualizimin dhe legalizimin e Universitetit të Tetovës, që do të thoshte aktualizimin dhe legalizimin e plotë institucional të një nisme të vitit 1994. Sot, Universiteti Shtetëror i Tetovës, është i kompletuar falë angazhimit të Qeverisë, edhe me konviktin e studentëve në të cilin qëndrojnë rreth 300 studentë, dhe kjo më gëzon shumë. 

Sepse, investimi në arsim dhe kushte për arsim cilësor është investimi më i mirë që mund të bëjmë për prosperitetin dhe zhvillimin e vendit dhe ato varen nga mënyra se si i edukojmë të rinjtë në të. Unë jam i bindur se suksesi i tyre do të jetë shpërblimi më i madh për të gjithë ne, duke i mbështetur të rinjtë në ndërtimin e shoqërive të shëndosha, me vlera dhe standarde të pranuara universale.

Në fund, më lejoni të drejtoj edhe një herë urime të përzemërta për Ditën e Mësuesit, dhe t’ju falënderoj për vëmendjen!

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…