Takim Osmani – Radman në kuadër të vizitës së punës në Kroaci:Medoemos duhet të vazhdojë integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor si interes i përbashkët i vendeve të rajonit edhe të Unionit

Në kuadër të vizitës së tij të punës në Republikën e Kroacisë, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, u takua me homologun e tij kroat, Ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Goran Grlic Radman. Gjatë bisedimeve, marrëdhëniet bilaterale u karakterizuan si dinamike dhe miqësore, me dialog intensiv politik në nivelin më të lartë, përmes bashkëpunimit të suksesshëm në një numër fushash me interes të përbashkët. Për dy ministrat, vazhdimi i politikës së zgjerimit të BE-së do të jetë një sinjal pozitiv për të gjithë rajonin si interes thelbësor edhe i vendeve anëtare të Unionit, për një Ballkan Perëndimor evropian. “Bashkimi Evropian duhet të sjellë disa hapa dhe vendime jashtëzakonisht të rëndësishme për ne, edhe atë: të miratojë kornizën negociuese për negociatat aderuese, të caktojë Konferencën e parë ndërqeveritare dhe të fillojë negociatat zyrtare të pranimit. Unë dua të jem i sinqertë, duke pasur parasysh progresin e bërë në reforma, duke pasur parasysh rrugën tonë të gjatë evropiane, konsideroj se me meritë presim që kjo të ndodhë deri në fund të këtij viti, gjatë Presidencës gjermane të Këshillit të BE-së”, tha Ministri Osmani, duke shprehur mirënjohje për kolegun e tij Grlic – Radman, për mbështetjen e fuqishme nga Kroacia për ambiciet tona evropiane, e cila u kurorëzua me vendimin e Këshillit të BE-së për të filluar negociatat brenda Presidencës Kroate të BE-së në gjysmën e parë të vitit. “Kurora e mbështetjes së tillë ishte vendimi për të filluar negociatat e pranimit të vendit tonë me BE-në në mars të këtij viti, gjatë presidencës Tuaj, ndërsa Deklarata e Zagrebit 2020 ishte një mbështetje shtesë për angazhimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunimin rajonal gjithëpërfshirës dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, tha Osmani në takim. Osmani e informoi Ministrin Radman për vizitën e tij në Bullgarinë fqinje, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të komunikimit të ndërsjellë në nivelin më të lartë, si mënyra e vetme për të kapërcyer dallimet e mundshme dhe për të eliminuar të gjitha sfidat për vazhdimësinë normale të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. “E forcuam komunikimin politik me Bullgarinë fqinje në disa nivele, kurse punën e saj e intensifikoi edhe Komisioni i Përbashkët për Çështjet Historike. Besoj se në periudhën që pason, në mënyrën adekuate do të adresojmë të gjitha sfidat dhe nuk do të lejojmë që të dështojë investimi i madh i përbashkët politik për perspektivat evropiane të të gjithë rajonit,” theksoi Osmani. Bashkëbiseduesit gjithashtu iu referuan bashkëpunimit në kuadër të NATO-s, bashkëpunimit ekonomik, turizmit, iniciativës për hapjen e Qendrave Kulturore-Informative në Shkup dhe Zagreb, si dhe aktiviteteve në lidhje me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave në të dy vendet, të cilat paraqesin një urë për afrimi reciprok. Vëmendje e veçantë iu kushtua situatës aktuale në rajon dhe më gjerë, bashkëpunimit rajonal, përfshirë masat e koordinimit në ballafaqimin e Covid-19.

Related posts

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…

Pastrimi etnik në institucione: Shqiptarët nën sulmin e qeverisë pa legjitimitet

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënon fuqimisht fushatën në vazhdim të diskriminimit etnik dhe “pastrimit institucional” që po vihet në zbatim ndaj…

Ali Ahmeti priti ambasadorin europian Rokas: Bashkimi Europian është alternativa jonë e vetme 

Në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, Kryetari i BDIsë Ali Ahmeti, priti ambasadorin e Bashkimit Europian z. Mihalis Rokas. …