Për Maqedoninë e Veriut, ndërtimi i sistemit kombëtar të gazsjellësit, lidhja e tij me sistemet rajonale të gazsjellësit, si dhe ndërtimi i sistemeve të shpërndarjes së gazit natyror është një nga prioritetet në pjesën e ndërtimit të infrastrukturës energjetike. Gazifikimi i vendit është vendimtar për ekonominë dhe ka përfitime si për qytetarët ashtu edhe për kompanitë, për mjedisin jetësor dhe shoqërinë në tërësi. Këtë e theksoi Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në panelin e diskutimit “Roli i gazit natyror në tranzicionin energjetik” në suaza të Forumit të biznesit që u zhvillua sot në Varshavë si pjesë e Takimit të ministrave të partneritetit për energji transatlantike dhe ndryshime klimatike (P -TECC). Takimi i ministrave organizohet nga Ministria e Energjisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministria e Klimës dhe Mjedisit Jetësor e Republikës së Polonisë në bashkëpunim me Këshillin Atlantik. Ministri Bekteshi theksoi se për sigurimin e sasive të parashikuara të gazit natyror për periudhën e ardhshme, po zhvillohen aktivitete për ndërtimin e mëtejshëm të sistemit ekzistues të gazsjellësit në vend, lidhjen e tij me sistemet rajonale të gazsjellësit, veçanërisht me korridorin jugor të gazit, si dhe fillimin e negociatave për sigurimin e sasive shtesë të gazit natyror. “Në vitet e fundit, kemi vendosur politikat energjetike në Republikën e Maqedonisë së Veriut në bazë të qëndrueshme. Ato garantojnë furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji, por edhe diversifikim të furnizimit, të cilat bazohen në energjinë e pastër të gjelbër dhe të cilat do të mundësojnë rritje të qëndrueshme të ekonomisë së vendit tonë”, tha ministri. Si pjesë e aktiviteteve që tashmë kanë filluar, ministri Bekteshi theksoi se tre muaj më parë u nënshkrua marrëveshje me Greqinë për ndërtimin e një ndërlidhësi për gazin natyror, i cili duhet të fillojë të ndërtohet deri në fund të vitit, “Ndërtimi i këtij ndërlidhësi për gazin e lëngshëm do të hapë shumë mundësi për vendin tonë, gjë që do të na japë një shans në të ardhmen të pozicionohemi si vend tranzit për furnizim me gaz të vendeve në rajonin e Evropës Juglindore, e për ekonominë tonë kombëtare do të sigurojmë burime të larmishme të energjisë dhe do të inkurajojmë konkurrencën,” tha ministri. Bekteshi informoi se pavarësisht investimeve në interkonektorin me Greqinë, tashmë kanë filluar aktivitetet për lidhjen e gazit me Kosovën, Serbinë dhe Shqipërinë, të cilat do të hapin horizontin për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe konkurrentshmërinë në tregun e përbashkët rajonal.. Theksoi edhe se në fillim të vitit u nënshkrua marrëveshje me Greqinë për bashkëpunim për ndërtimin e terminalit të gazit në Aleksandropoli, ku Maqedonia e Veriut do të zotërojë 10% të aksioneve të terminalit, si dhe pjesëmarrje në ndërtimin e centralit të gazit në afërsi të Aleksandropolit, ku pjesa e Maqedonisë së Veriut është 25% e vlerës së përgjithshme “Konkurrenca e Evropës Juglindore me investime në ndërlidhës po përmirësohet, dhe të njejtat janë shumë të rëndësishme edhe për të ardhmen, për transferimin e hidrogjenit si një burim i ardhshëm i energjisë.Në të gjithë sektorët deri në vitin 2030 planifikojmë të zvogëlojmë 51% të emetimeve të gazrave serrë, në krahasim me nivelin e vitit 1990,” tha ministri Bekteshi. Iniciativa e Partneritetit për energji transatlantike dhe bashkëpunim klimatik (P-TECC) u krijua si një rrugë për rritjen e bashkëpunimit midis SHBA-ve dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore për sigurinë e energjisë dhe kalimin në një ekonomi të pastër. Në forumin e biznesit marrin pjesë përfaqësues të vendeve, organizatave dhe bizneseve nga i gjithë rajoni, e tema kryesore këtë vit është inovacionet teknologjike, barrierat e politikave dhe mundësitë e biznesit. Fokusi kryesor i Takimit të ministrave të këtij viti është vendosja e aksioneve klimatike dhe një kalim i drejtë në një të ardhme me karbon të ulët dhe vendosja e teknologjive inovative të energjisë së pastër që krijojnë vende pune në të dy anët e Atlantikut.