Ministri Besimi në Takimet vjetore të FMN-së dhe BB-së në Washington

Ndikimi i konfliktit në Ukrainë mbi ekonominë globale, si dhe kriza energjetike dhe e çmimeve do të jenë temat kryesore që do të diskutohen në Takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të cilat mbahen këtë javë në Washington, ku do të marrin pjesë delegacioni nga Republika e Maqedonisë së Veriut i kryesuar nga ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe guvernatorja e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Anita Angelovska Bezhoska.

Në kuadër të Takimeve vjetore në Washington, ministri do të realizojë disa takime me përfaqësues të lartë të këtyre institucioneve financiare ndërkombëtare, ndër të cilët me drejtorin ekzekutiv të FMN-së,  Paul Hilbers, shefen e Misionit të FMN-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Bergiot Bjornson Barkbu, përfaqësuesen rajonale për Ballkanin Perëndimor, Stephanie Eble, drejtorin e Departamentit të FMN-së për Evropën, Alfred Kamer, drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore, Koen Davidse, zëvendëskryetaren e Bankës Botërore Anna Bjerde, drejtoreshën rajonale për Ballkanin Perendimor Linda Van Gelder si dhe me drejtorin e Bankës Botërore në vend, Massimiliano Paolucci.

Gjatë qëndrimit në Washington, ministri Besimi do të takohet edhe me zëvendësndihmësin e sekretarit shtetëror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështje evropiane dhe euroaziatike – përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe do të ketë takime edhe me përfaqësues të Thesarit të SHBA-së.

Ministri i Financave gjatë takimeve do t’i theksojë prioritetet kyçe afatmesme të Qeverisë të determinuara drejt realizimit të rritjes së qëndrueshme dhe reformave që ndërmerren në këtë drejtim, si dhe ato afatshkurtra, që janë si rezultat i krizës aktuale energjetike dhe të çmimeve, përforcuar nga konflikti në Ukrainë dhe nevojat e mundshme për përkrahje.

Këtë vit, prioritetet e RMV-së kryesisht janë në drejtim të sigurimit të stabilitetit të çmimeve, me qëllim që të ruhet stabiliteti makroekonomik dhe ai financiar. Për këtë qëllim, u miratua pakoja me 26 masa në vlerë të përgjithshme prej 400 milionë eurove lidhur me përkrahjen e standardit të jetesës së qytetarëve, likuiditetin e kompanive dhe përkrahjen financiare të kompanive përmes Bankës Zhvillimore.

Edhe pse në periudhë afatshkurtër, kriza imponoi që nevojat të fokusohen si reagim ndaj krizës së çmimeve dhe krizës energjetike, në periudhë afatmesme dhe afatgjate mbetet përkushtimi për konsolidim fiskal, me qëllim që të ulen deficiti buxhetor dhe borxhi publik, si dhe të arrihen normat e rritjes ekonomike, të cilat për shkak të krizës pësojnë rishikim në rënie, por me rëndësi është se ato mbeten pozitive.

Në kriza të tilla, analizat thelbësore, projektimi i masave që do të jenë si reagim ndaj çështjeve emergjente dhe reformat strukturore në një periudhë afatmesme janë shumë të rëndësishme, me qëllim që në të ardhmen të sigurohet rritje ekonomike më stabile dhe të krijohet mekanizëm që do të mundësojë tejkalim më të lehtë të krizave të reja eventuale që kërkojnë reagim të shpejtë.

Takimet e sivjetshme, për herë të parë pas dy viteve mbahen me prani fizike, respektivisht në mënyrë hibride, me ç’rast në një vend do të jenë të pranishëm ministrat e Financave, guvernatorët e bankave qendrore, përfaqësuesit e biznesit, sektori joqeveritar dhe ekspertët të cilët do të debatojnë mbi çështjet aktuale që janë në interes së mbarë botës, sfidat me të cilat ballafaqohemi dhe mundësitë për tejkalimin e tyre.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…