Padyshim që feja luan një rol shumë të rëndësishëm në një shoqëri të globalizuar, megjithëse kur flasim për globalizimin në përgjithësi, së pari mendojmë për kontekstin e tij ekonomik dhe politik, si lëvizje e kapitalizmit që po përhapet në mbarë botën. Por jashtë këtij konteksti, globalizimi lejon që fetë dhe kulturat e ndryshme të lidhen me njëra-tjetrën dhe të këmbejnë vlerat, zakonet, traditat e tyre, e kështu me radhë. Nga ana tjetër, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm dhe dëshmitarë se feja ndikon fuqishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, në shoqëritë tona dhe në jetën tonë.
Kështu deklaroi ministri i arsimit dhe shkencës Jeton Shaqiri në hapjen e Konferencës së dytë evropiane për dialog dhe bashkëpunim fetar me temë “Marrëdhënia ndërmjet religjionit dhe globalizimit: partikularizmi fetar përballë universalizmit fetar”, që po mbahet nga sot në Strugë, organizuar nga Qendra për studime dhe kërkime ndërkulturore.
Shaqiri u shpreh i kënaqur që konferenca organizohet në vendlindjen e tij, e cila siç tha ai është shembull i mrekullueshëm i multikulturalizmit, në të cilin pjesëtarë të feve të ndryshme jetojnë së bashku, duke ndarë vlerat, ngjashmëritë dhe dallimet e tyre.
“Besoj se pjesëmarrësit në këtë konferencë do të mund dhe do të kenë kohë të shohin diversitetin e këtij qyteti në ditët në vijim dhe do të mbeten të kënaqur me harmoninë në të cilën jetojnë qytetarët që u përkasin komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare në Strugë”, tha Shaqiri, duke shtuar se fjalimi i tij do të jetë i shkurtër, sepse siç tha ai, kjo hapësirë është më shumë për ekspertë dhe studiues të cilët duhet të shtjellojnë temën e konferencës dhe të ndërtojnë konkluzione që do të integrohen në politikat e vendeve nga vijnë pjesëmarrësit.
Në konferencën treditore marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të disa vendeve evropiane, ekspertë, studiues, përfaqësues të akademisë dhe komuniteteve fetare.