Besimi: Përfitimet e reformës tatimore janë 70 milionë euro mjete shtesë në buxhet dhe drejtësi më e madhe

Koncepti i reformës tatimore bazohet në drejtësi, respektivisht në zgjerimin e bazës tatimore nëpërmjet rishikimit të lirimeve tatimore dhe normave preferenciale dhe luftimin kundër ekonomisë gri. Në sistemin tonë tatimor, vihet re një numër i madh i lirimeve tatimore si dhe listë e gjatë me norma preferenciale, më e gjata nga të gjitha vendet e rajonit dhe disa datojnë në periudhë të gjatë kohore, me ç’rast e kanë përmbushur qëllimin e tyre por janë të bërë të panevojshme. Tani ato paraqesin vetëm kosto për buxhetin dhe privilegj të pajustifikuar për obliguesit tatimorë të caktuar, që krijon distorzion në treg. Kjo u theksua nga ministri i Financave, Fatmir Besimi, në kolumnën e tij të fundit, ku shkruan për reformën tatimore, e cila vitin e ardhshëm do të sjellë 70 milionë euro shtesë në buxhet, në funksion të konsolidimit fiskal, por edhe drejtësi më të madhe në sistemin tatimor.

“Kostoja tatimore është diferenca sistemike në trajtimin tatimor të kategorive të caktuara të obliguesve tatimorë ose aktiviteteve, me ç’rast arkëtohen më pak tatime në buxhet. E thënë thjesht, bëhet fjalë për përkrahje financiare për kategori të caktuara të qytetarëve dhe kompanive, nëpërmjet lirimit nga pagimi i tatimit të caktuar ose normës më të ulët se norma e rregullt për arritjen e ndonjë qëllimi shoqëror, ekonomik apo social për një periudhë të caktuar kohore. Me kalimin e kohës, pasi këto transferta indirekte buxhetore ta kenë përmbushur qëllimin tyre, ato bëhen barrë e panevojshme për buxhetin dhe njëkohësisht do ta vendosin kategorinë përkatëse të qytetarëve dhe kompanive në pozitë të privilegjuar të panevojshme në krahasim me pjesën tjetër. Në këtë rast, dëmi i shkaktuar nga këto përjashtime është i dyfishtë, si në bazë të buxhetit ashtu edhe në bazë të obliguesve tatimorë dhe kështu ato paraqesin burim potencial të pabarazisë tatimore”, shkruan Besimi.

Ministri në vijim thekson se shumica e vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik (OECD) dhe Bashkimit Evropian (BE), si pjesë të procesit buxhetor, paraqesin nevojë për përgatitjen e raporteve mbi shpenzimet tatimore në bazë vjetore dhe analizën e tyre cost-benefit. Me Ligjin e ri të Buxheteve dhe sipas shembullit të OECD-së dhe BE-së edhe në vendin tonë vendoset zgjidhje sistemike, nëpërmjet detyrimit për hartimin e raporteve vjetore për kostot tatimore dhe rishikimin e tyre në përputhje me kontributin e tyre.

Koncepti i reformës tatimore parasheh ndryshime ligjore në Ligjin e Tatimit mbi Fitimin, Ligjin e Tatimit mbi të Ardhurat Personale dhe Ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, si dhe dispozita në ligjet përkatëse, të cilat kanë për qëllim zgjerimin e bazës tatimore. Me këtë koncept shfuqizohet tatimimi progresiv që supozohej të hynte në fuqi nga viti i ardhshëm.

Koncepti i reformës tatimore u hartua nëpërmjet procesit inkluziv, përmes procesit të konsultimeve të gjera me pjesëmarrësit shoqërorë, si dhe me komunitetin akademik dhe të biznesit, ekspertët, partitë politike etj.

Ministri në kolumnë thekson se gjatë debatit publik mbi Draft konceptin e reformave të politikës tatimore u ngrit diskutimi nga disa palë të tanguara të shoqërisë me propozime për vendosjen e tatimit mbi fitimin ekstra. Besimi në kolumnë njofton se do ta hapë diskutimin lidhur me këtë çështje me odat ekonomike.

Më tej, ministri analizon konceptin e tatimeve mbi fitimin ekstra, të cilin gjithnjë e më shumë vende e zbatojnë që nga fillimi i krizës.

“Tatimet e jashtëzakonshme janë praktikë në disa vende të botës që në kushte të gjendjeve të jashtëzakonshme, vendosin tatime me karakter të përkohshëm për t’i korrigjuar distorzionet në treg. Në teorinë dhe politikën ekonomike, logjika e tatimeve të tilla bazohet në ridistribuimin e një pjese të të hyrave të larta të paparashikuara që marrin kompanitë e caktuara për shkak të kushteve të tregut ose situatave të tjera të jashtëzakonshme. Përgjatë historisë, ka shumë shembuj të zgjidhjeve të tilla në botë.

Nisma të ngjashme ka edhe tani gjatë krizës energjetike, ku në disa vende propozohet i ashtuquajturi Tatim mbi fitimin ekstra. Qeveria e re e Britanisë së Madhe njoftoi tatim shtesë mbi fitimin ekstra në vlerë prej 35% për periudhën 2023-2028 për kompanitë në sektorin energjetik. Në muajin maj të vitit 2022, Hungaria njoftoi tatimim mbi fitimin ekstra në sektorin energjetik, sektorin financiar, transportin ajror dhe tregtinë me pakicë për periudhën 2022-2023, me ç’rast për sektorin energjetik kjo vlerë arrin në nivel prej 65%.

Në muajin nëntor, në Kroaci u paralajmërua tatimi mbi fitimin ekstra prej 33% për të gjitha kompanitë me të hyra vjetore mbi 40 milionë euro dhe që realizuan fitim më të lartë se 20% të mesatares së tyre vjetore për periudhën 2018-2021.

Javën e kaluar, Italia paralajmëroi tatim mbi fitimin ekstra prej 50% për kompanitë në sektorin energjetik që kanë fitim më të lartë se 10% të mesatares 2018-2021 dhe do të zbatohet në vitin 2023”, shkruan Besimi.

Related posts

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…

Pastrimi etnik në institucione: Shqiptarët nën sulmin e qeverisë pa legjitimitet

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënon fuqimisht fushatën në vazhdim të diskriminimit etnik dhe “pastrimit institucional” që po vihet në zbatim ndaj…

Ali Ahmeti priti ambasadorin europian Rokas: Bashkimi Europian është alternativa jonë e vetme 

Në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, Kryetari i BDIsë Ali Ahmeti, priti ambasadorin e Bashkimit Europian z. Mihalis Rokas. …