Gjatë ditës së sotme ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi së bashku me drejtorin e ELEM TOURS Adem Avziu morën pjesë në lëshimin në funksionim të teleferikut me gjashtë ulëse “Leitner” për herë të parë për këtë sezonë në Qendrën e Skijimit „Kodra e Diellit“. Gjatë vizitës në Kodrën e Diellit ministri Bekteshi dhe drejtori Avziu dhanë deklarata për mediat si dhe realizuan shëtitje panoramike me teleferikun “Leitner”. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi deklaroi se Qeveria dhe organet kompetente po japin maksimumin që kjo qendër në të ardhmen të konkurroj me pikat tjera turistike nga rajoni dhe më gjerë, duke shtuar se pikërisht teleferiku i ri me gjashtë ulëse tërheq numër të madh turistësh. “ Sot së bashku me drejtorin Avziu por edhe me ish drejtorin e ELEM TOURS kemi mundësinë që të shënojmë një ditë shumë të rëndësishme për Kodrën e Diellit sa i përket investimeve të cilat i ka ndërmarrë kjo ndërmarrje por njëkohësisht me përkrahje edhe të institucioneve tjera qeveritare. Siç e kemi theksuar edhe disa herë është prioritet i Qeverisë investimi në infrastrukturë por edhe në projekte të llojit të tillë të cilët janë një mundësi shtesë për të gjithë vizitorët e Kodrës së Diellit, për turistët që të përmirësohen shërbimet. Sa i përket këtij investimi i cili sot është në funksion të të gjithë qytetarëve, është një investim i cili do të hapi shumë shtigje të reja për skijim në Kodrën e Diellit por do të ketë edhe një mundësi shtesë për vizitorët që të bëjnë shëtitje panoramike. Siç e kemi theksuar edhe më herët Qeveria me përkushtim është duke i kryer obligimet e veta sa i përket përmirësimit të infrastrukturës dhe gjendjes së Kodrës së Diellit me qëllim që të rritet numri i turistëve dhe në mënyrë indirekte të ndikoj edhe në zhvillimin ekonomik lokal në kuadër të komunës së Tetovës”, theksoi Bekteshi. Drejtori i ELEM TOURS Adem Avziu theksoi se janë duke përgatitur disa projekte dhe ide tjera nga ELEM Tours të cilat Qeveria do të përpiqet t’i zbatojë në mënyrë që të përmirësohen kushtet e Kodrës së Diellit dhe që qytetarët të vizitojnë sa më shumë këtë qendër atraktive. “Kam nderin që sot bashkë me ministrin e Ekonomisë dhe me ish drejtorin e ELEM TOURS të lëshojmë në përdorim këtë teleferik për të gjithë vizitorët, për të gjithë skijatorët e këtij vendi. Pasiqë ky teleferik u lëshua oficialisht në përdorim herën e kaluar, sot e vendojmë plotësisht në funksion që të mund ta shrytëzojnë qytetarët e këtij vendi dhe dhe më gjerë për të parë bukuritë e kësaj natyre dhe të realizojnë dëshirat e tyre në skijim. Është kënaqësi e imja që sot e kemi të pranishëm ministrin e Ekonomisë i cili na ka premtuar mbështetjen e tij direkte si dhe mbështetjen përmes Ministrisë së Ekonomisë deri tek Qeveria. Ne kemi edhe plane tjera, nuk do të ndalemi këtu për zhvillim të tutjeshëm të kësaj qendre turistike dhe do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim, është prioritet i joni dhe duhet ta mbajmë dhe ta zhvillojmë këtë qendër ashtu siç i ka hije një vendi të tillë”, nënvizoi Avziu. Teleferiku me gjashtë ulëse “Leitner” është një teleferik bashkëkohor,i vetmi i këtij lloji në vend. Gjatësia e linjës së teleferikut është 1.510 metra, me kapacitet maksimal për transportimin e skiatorëve prej 2.400 skiatorë në orë. Teleferiku me gjashtë ulëse është i pozicionuar në lokacionin nga Mal Jelak deri në majën e ski-ashensorit Ajduçka Ramnina (ish Ge). Shtigje të reja skijimi në gjatësi mbi 3 km do të sigurohen përgjatë linjës së teleferikut të ri. Gjatë ditës së sotme pra ditën e parë të lëshimit në përdorim të teleferikut për këtë sezon, shëtitja panoramike për vizitorët e Qendrës “Kodra e Diellit” ishte falas. Teleferiku me gjashtë ulëse do të punojë rregullisht, si dhe ashensorët e tjerë të skijimit dhe teleferikët në Qendrën e Skijimit, nga ora 9 deri në 15:30.