11 dhjetor 2023, Shkup – Buxheti i vitit 2024, i cili realizohet në kushtet e pasigurisë së vazhduar dhe ngadalësimit të ekonomisë globale, është pjesë e strategjisë së gjerë për rimëkëmbjen, ndërsa më tej për përshpejtimin e rritjes, theksoi Ministri i Financave, Fatmir Besimi, në intervistën për “Faktor”, ku theksoi se strategjia bazohet në nxitjen e zhvillimit përmes ciklit të fortë investues dhe sigurimit të qëndrueshmërisë fiskale.
Ministri i Financave theksoi se buxheti për vitin e ardhshëm është hartuar në bazë të “rregullit të artë” në financat publike, investimet kapitale duhet të jenë në nivel më të lartë se deficiti fiskal. Njëkohësisht, buxheti mbetet në rrugën e planifikuar të konsolidimit fiskal, përkatësisht uljen e deficitit buxhetor, duke mos ndikuar negativisht në rritjen ekonomike.
“Struktura e buxhetit po ndryshohet. Nga viti i kaluar, niveli i shpenzimeve kapitale është vendosur dy herë më lartë në krahasim me vitin 2020, ndërsa kjo tendencë vazhdon dhe me Buxhetin e vitit 2024. Deficiti i buxhetit është ulur pothuajse për një të tretën krahasuar me nivelin e projektuar për këtë vit, në nivel prej 3.4% të PBB-së, që është vetëm gjysma e deficitit primar, përkatësisht 1.7% të PBB-së, ndërsa gjysma tjetër e deficitit destinohet për pagesën e interesit të borxhit të akumuluar nga periudha e kaluar deri më tani. Ky nivel përshtatet me projeksionet afatmesme të përfshira me Strategjinë fiskale deri në vitin 2028, përkatësisht deficiti buxhetor në vitin 2025 dhe 2026, të ulet në nivel prej 3% ose në përputhje me Kriteretet e Mastrihtit, ndërsa në vitin 2027 dhe 2028, të ulet në nivel nën 3%, përkatësisht 2.8% dhe 2.5%, në mënyrë respektive. Sa i përket qëndrueshmërisë ekonomike, në kuadër të mjeteve financiare të ndara për shpenzime kapitale, parashihet përkrahje në këtë drejtim.
Përmes miratimit të Ligjit të ri të Buxheteve është përforcuar edhe kontrolli i sigurimit të qëndrueshmërisë fiskale përmes vendosjes së Këshillit fiskal, si dhe rregullave fiskale”, theksoi ministri.
Ministri i Financave, në këtë intervistë flet edhe për pakon e nëntë të masave antikrizë, e cila do të përkrahë 120.000 të rinj, rreth 74.000 qytetarë të kategorisë së ndjeshme sociale, 187.000 pensionistë, 40.000 bujq, 540.000 shfrytëzues të aplikacionit – TVSH-ja Ime, 600.000 amvisëri, si dhe 70.000 kompani, ndërsa nëse merren parasysh masat sistematike, bëhet fjalë për 338.000 pensionistë dhe 106.000 të punësuar në sektorin publik.
“Me Buxhetin e vitit 2023 është paralajmëruar pakoja e nëntë e masave antikrizë, e cila është miratuar vitin e kaluar. Prej aty, tezat se është parazgjedhore dhe e papritur, hidhen poshtë. Politika fiskale dhe këtë pako masash antikrizë i orientuam në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe në mbështetje të kategorive të ndjeshme të qytetarëve. Nxënësit, studentët e familjeve me të ardhura të ulëta, pensionistët me pensione të ulëta do të mbështeten përmes shtesave ndërsa kompanitë, kryesisht ato të vogla dhe të mesme me injeksione likuiditeti”, tha Besimi dhe shtoi se kjo është pakoja e 9-të e përkrahjes që u jepet qytetarëve dhe ekonomisë në vazhdimësi nga pandemia deri më tani, që përllogaritet në vlerë prej 2.66 miliardë eurove.