Zhvillimi i tregut të kapitalit është krucial për përkrahjen e zhvillimit të ekonomisë, prandaj është i rëndësishëm zhvillimi i bursës, ofrimi i risive dhe nismave. Në këtë drejtim, Ministria e Financave vendosi instrumente të reja këtë vit. Gjatë verës u emetua emetimi i parë i fletobligacionit të qytetarëve ndërsa nga sot në tregun e kapitalit vendoset edhe një instrument i ri, që është fletobligacioni i gjelbër. Kjo u bë e ditur nga ministri i Financave, Fatmir Besimi, i cili foli gjatë hapjes së Konferencës vjetore të Bursës së Maqedonisë, që mbahet në Ohër.
“Këtë vit kemi vendosur instrumente të reja në tregun e letrave me vlerë. Një prej tyre është fletobligacioni i qytetarëve, që u realizua me sukses ku morën pjesë shumë qytetarë, ndërsa në muajin tetor të vitit 2023 do të emetojmë edhe një emetim të ri, reprektivisht fletobligacionin e qytetarëve. Ky ishte proces i përkrahur nga bankat dhe i cili është në interes të zhvillimit të tregut të letrave me vlerë. Sot kemi lajm të mirë. Për herë të parë do të emetojmë fletobligacionin e gjelbër në vlerë prej 10 milionë eurove. Ky është fletobligacion dyvjeçar me interes prej 4.75% dhe do të destinohet për subjektet juridikë dhe qytetarët. Megjithatë, konsideroj se qytetarët do të tregojnë interes më të madh për fletobligacionin e qytetarëve, që do të jetë me normë interese prej 5%” theksoi ministri Besimi.
Ai shtoi se pavarësisht këtyre dy instrumenteve, në Bursë tregtohen rregullisht fletobligacionet e denacionalizimit, ndërsa së shpejti pjesë e tregtimit në Bursë do të jenë edhe fletobligacionet strukturore.
Sipas ministrit, e rëndësishme është që në treg të ofrohen zgjidhje kreative dhe instrumente të reja që do të mundësojnë qasje më të lehtë te mjetet financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për idetë e reja.
Ministri uroi punë të suksesshme të konferencës dhe potencoi se konferencat janë evente që shërbejnë për shpalosjen e ideve të reja, për të ofruar iniciativa të reja ndërsa institucionet të jenë më efikase në punë.