Filloi edicioni i dytë i Konferencës më të madhe ndërkombëtare në vend – Forumi i Prespës për Dialog

Në brifingun për mediat, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani e prezantoi edicionin e dytë të Forumit të Prespës për Dialog, i cili organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nën patronazhin e Presidentit, Stevo Pendarovski.

Tema kryesore e Forumit të Prespës për Dialog të këtij viti është “Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë”, që ka për qëllim t’i pasqyrojë sfidat aktuale të politikës së jashtme, por dhe kërcënimet bashkëkohore të sigurisë me të cilat përballemi. Tema është në linjë me fenomenin e ri të sigurisë, i cili rrënjësisht ka tronditur rendin që siguronte siguri të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë.

“Ballkani Perëndimor në mënyrë të pashmangshme është pjesë e kësaj arkitekture të re të marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht në aspekt të arkitekturës së re të sigurisë së Evropës. Aktualisht, kjo është tema më e rëndësishme për ne, por edhe çështje sigurie që është në krye të agjendës edhe te partnerët tanë në pjesën tjetër të Evropës, ndërsa në ndërtimin e të ardhmes së Ballkanit Perëndimor si pjesë e arkitekturës evropiane të sigurisë, vend qendror zë perspektiva evropiane dhe euroatlantike e rajonit”, tha Osmani.

Njëherazi, tema të rëndësishme për tu diskutuar në PFD e sivjetme do të jenë: ndërtimi i një mjedisi të qëndrueshëm të sigurisë; forcimi i partneriteteve strategjike; bashkëpunimi ekonomik, agjenda e gjelbër, ndryshimet dhe ndikimet klimatike, roli i grave dhe të rinjve në rrjedhat sociale, etj. që do të trajtohen në shumë panele nga pjesëmarrës me renome.

Ministri Osmani theksoi se rëndësia e PFD-së konfirmohet me pjesëmarrjen e presidentëve nga rajoni, përfshirë Borut Pahor nga Sllovenia, Zoran Milanoviq nga Kroacia, Vjosa Osmani nga Kosova, Millo Gjukanoviq nga Mali i Zi, por edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq.

Gjithashtu, sfidat bashkëkohore me të cilat përballet rajoni dhe Evropa do të trajtohen nga një sërë ministrash të punëve të jashtme, si Alexander Schallenberg nga Austria, Nikos Dendias nga Greqia, Grliq Radman nga Kroacia, Ivan Korçok nga Sllovakia, Zbigniew Rau nga Polonia, Mevlut Çavushoglu nga Turqia, Imzot, Paul Richard Gallagher, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet e të tjerë. Po ashtu, në forum do të marrin pjesë përfaqësues të shquar të organizatave ndërkombëtare si Nënsekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për Çështjet Politike – Rosemary Di Carlo, Sekretarja e Përgjithshme aktuale e OSBE-së Helga Schmid, etj.

Njëherazi, Osmani theksoi se është veçanërisht e rëndësishme që PFD-ja e sivjetshme për herë të parë do të bashkojë pesë të dërguarit specialë për Ballkanin Perëndimor nga ShBA-ja, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Austria: Zëvendësndihmës sekretarin e Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Eskobar, më pas Miroslav Lajçak, Sir Stuart Peach, Manuel Saracin dhe Johannes Eigner, të cilët do të kenë një takim të veçantë me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor ku do të shqyrtohen perspektivat evropiane dhe euroatlantike të rajonit në periudhën e në vijim, por do të diskutohet edhe për nismën rajonale B6 të iniciuar nga ne në PFD e mbajtur vitn e kaluar.

“Organizimi i suksesshëm i Forumit të Prespës për Dialog, i cili njëherit përkon edhe me katër vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, konfirmoi synimin tonë të vendosur vitin e kaluar për t’u shndërruar në brend të dëshmuar dhe platformë të rregullt për ndërtimin e urave, kulturave, miqësisë dhe besimit, pajtimin e popujve, afrimin dhe tejkalimin e stereotipeve. “Maqedonia e Veriut e ka konfirmuar vendin e saj në hartën e bashkësisë ndërkombëtare si një partner serioz nga i cili dalin iniciativa pozitive dhe edhe një herë ka arritur të dëshmojë veten si një aleat i rëndësishëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për kontributin në marrëdhëniet ndërkombëtare.” – përfundoi Osmani.

Related posts

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…

Pastrimi etnik në institucione: Shqiptarët nën sulmin e qeverisë pa legjitimitet

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënon fuqimisht fushatën në vazhdim të diskriminimit etnik dhe “pastrimit institucional” që po vihet në zbatim ndaj…