Grubi për 22 Nëntor: Parimi i vetëvendosjes për gjuhë, identitet dhe përkatësi nuk përcaktohen me traktate e marrëveshje, por mbi parimet e të drejtës hyjnore

“Populli shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten që, tuj lanë mënjanë transformimet e natyrshme të elementëve të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë tjetër deri më sot, kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike, sllave ose helenike, me përjashtim ku puqet me to me rranjë të bashkueme indo-gjermane. Prej këtej pra rrjedh që që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë, kanë një kombësi krejt më vete e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera të Europës.”   Pikërisht përmes një pjese të fjalimit të at Gjergj Fishtës të thënë gjatë vitit 1919 në Konferencën e Versajës në Paris, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi ka nisur fjalimin e tij solemn me rastin e shënimit të 22 nëntorit, ditës së Kongresit të Manastirit dhe të alfabetit të gjuhës shqipe.   Grubi me këtë rast ka thënë se këtë vit shënojmë edhe 80 vjetorin e vdekjes së të madhit Gjergj Fishta, kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit të cilit ia përkushtojmë këtë përvjetor të ditës së alfabetit të gjuhës shqipe.   Zëvendëskryeministri Grubi ka thënë se arsyeja se pse ka zgjedhur këtë profeci ‘fishtiane’ për ta rikthyer në kujtesë sot, është ndër lidhshmëria, vartësia dhe nevoja për t’i rikujtuar pasojat e konferencës së Versajës e cila dështoi që të sjell fundin e arsyeve të luftës së parë botërore dhe nxiti pasoja shtesë të cilat ndjehen fort edhe sot e kësaj dite.   Grubi gjithashtu me rastin e fjalimit solemn të shënimit të 22 Nëntorit, ditës së Alfabetit Shqip ka thënë se fatet e kombeve tona, në vendin tonë janë të ndërlidhura bashkë. Rrugëtimin për liri, drejtësi, barazi, por edhe integrim e kemi të përbashkët.   Zëvendëskryeministri i parë Grubi ka rikujtuar se parimi i vetëvendosjes për etni, gjuhë, identitet, përkatësi, nuk mund të përcaktohet me traktate e marrëveshje, por vetëm mbi parimet e të drejtës hyjnore.   Pikërisht, sot më 22 Nëntor, në shënimin e ditës së Alfabetit Shqip, duhet kujtuar se e kaluara nuk guxon të mban peng të ardhmen dhe që metodat dhe vlerat e shekullit 19 nuk kthehen dot në shekullin 21.   Në fund të fjalimit të tij, Grubi në emër të Qeverise së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kujtuar dhe u përkulur para të gjithë burrave e grave të kombit ndër dekada e shekuj, uroi të gjithë shqiptarët për 22 nëntorin, ditën e Kongresit të Manastirit dhe të alfabetit të gjuhës shqipe.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…