GRUBI për EURONEWS: Pa barazi të plotë, nuk mund të flasim për parti me baza ideologjike (VIDEO)

Ende ka punë për tu bërë me qëllim që të arrihet barazia ideale në mënyrë që të mund të flasim për parti politike të organizuara në baza ideologjike. Lojaliteti i shtetit ndaj komunitetit përkthehet me lojalitet të qytetarit ndaj shtetit dhe shembulli i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit është shembulli më i mirë drejt rrugës së arritjes së barazisë së plotë. Kështu deklaroi në emisionin “Balkan Talks” me gazetarin Franko Egro në Euronews Albania zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi.“Kemi flamurin zyrtar, universitetin zyrtar, përfaqësim të drejtë nëpër gjithë administratën e shtetit edhe pse ka akoma shumë punë për të bërë, shqiptarët menaxhojnë me komuna, kemi 33 deputet në kuvend, kemi kryetarin e kuvendit, kemi zëvendëskryeministrin e parë, kemi ministrin e financave, atë të punëve të jashtme, kishim pozitën e ministrit të brendshëm, kishim ministrin e mbrojtjes, kryetarin e federatës së futbollit, kryetarin e gjykatës supreme, kryetarin e gjykatës kushtetuese d.m.th shqiptarët janë të përfaqësuar në mënyrë dinjitoze në institucionet e vendit, por akoma ka punë për tu bërë për të arritur deri tek barazia ideale në mënyrë që të mund të flasim për parti politike të organizuara në baza ideologjike”, deklaroi Grubi.